E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat europiane: Beqaj i mohoi fitoren Interit

 

Mediat europiane janë ndarë në qëndrimet e tyre në adresë të portierit të kombëtares Arjan Beqaj në ndeshjen mes Anorthosis dhe Interit, që përfundoi në barazim 3-3. Nota ndaj tij gjithsesi ka qenë ndër më të lartat nga 22 lojtarët në fushë, duke qenë se gardiani kuqezi shpëtoi 2-3 gola të sigurtë. Por, të gjithë e kanë konsideruar gabim daljen e tij në momentin e golit të tretë të realizuar nga Hulio Rikardo Kruz. Performanca e Beqaj është analizuar sidomos në mediat italiane. "Portieri Beqaj bën të paktën dy mrekulli, por në rastin e Kruz gabon dhe ia lehtëson punët Interit", shkruan gazeta "La Stampa", në shkrimin me titull: "Interi, figurë e shëmtuar në Qipro". Edhe në momentin e golit të parë të Balotelit, ka vend për pak kritikë, pasi sipas mediave italiane, topi mund të grushtohej më mirë. Një diskutim i madh është edhe gjuajtja e Esteban Kambiasos, e frenuar në vijën fatale nga Arjan Beqaj. "Kambiaso gjuan me kokë pas krosit të Kruz dhe Beqaj largon me zhytje. Por, topi e ka kaluar vijën e portës kur ndërhyn portieri i Anorthosis, sado që arbitri vazhdon lojën", shkruan e përditshmja italiane "Gazzetta Dello Sport". Në Angli, "Times" shkruan se "Arjan Beqaj i mohoi fitoren Interit, duke e larguar topin pas gjuajtjes së Kambiasos, pasi ai e kishte kaluar vijën fatale". Përpos kësaj, barazimi 3-3 në Nikozia, është komentuar si një sukses i madh për futbollin qipriot dhe për Anorthosis. "Një skuadër lokale siguron një barazim historik kundër Interit në Champions", shkruan "Famagusta Gazzete".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›