E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statura e liderit të PS-së


Në qendër të vëmendjes, çuditërisht nuk është formati i qeverisë së re, por zhvillimet në PS. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ashtu si dhe pritej, zgjedhjet patën pika të errëta, kontestime, fitues dhe humbës. Ato, si asnjëherë tjetër prodhuan 50% e ndarjes së votave ndërmjet kampeve politike. Nëse diferenca ndërmjet kampeve do të ishte e ndjeshme, debati tashmë do të kishte përfunduar dhe brenda gushtit do të kishim qeverinë e re, e zhvillime politike normale. Situata bëhet më komplekse veçanërisht me vendimmarrjen tepër të debatueshme të LSI. Në këtë këndvështrim, zhvillimet politike në Shqipëri do të kondicionohen absolutisht nga PS. Në Shqiperi pati manipulime dhe deformim serioz të rezultatit të zgjedhjeve.

Personalisht nuk prisja që Berisha të organizonte zgjedhje me standard. Shumë analistë e cilësojnë Kodin Zgjedhor si një nga arsyet që ndjeshëm ndikoi në rezultat. Në gjykimin tim si dhe në çfarëdolloj analize, ky argument ka vend për diskutim dhe personalisht i qëndroj konkluzionit se rezultati real i zgjedhjeve nuk u cenua nga formati i Kodit. Kodi, në mënyrë propabël pati efekte negative për PD-PS në një territor elektoral, por gati në të njëjtën përmasë pozitive në një territor tjetër. Politika shqiptare në vite kishte prodhuar një realitet fiktiv me individë-parti, me përfaqësim absolutisht të deformuar. Këto zgjedhje e evidentuan dhe e neutralizuan këtë realitet.

Partitë e vogla morën një rezultat real, që ishte një pasqyrë reale e përfaqësimit të tyre në tregun politik. Në një analizë të rezultateve të shpallura të votimeve, konkluzioni i parë lehtësisht i arritshëm është se votimi ishte i pastër dhe thellësisht i evidentueshem krahinor. Vetë nuk kam konstatuar, por dhe nuk kam parë në analizat e ndokujt, hipoteza mbi praninë e diferencave krahinore në programet elektorale të PS- PD dhe është e pamundur të gjejmë qoftë dhe ndonjë nuancë krahinore edhe gjatë fushatës në terren (Berisha kohën më të madhe të fushates dhe premtimet më të bujshme i bëri në Jug, ku dhe humbi). Përkundrazi, konstatohet se fryma programore elektorale e të dy partive karakterizohej nga filozofi më tej se gjithëpërfshirëse, ku në themel kishin njeriun ideal, të cilit gjithashtu në mënyrën më ideale do t'i plotësoheshin të gjitha të drejtat dhe liritë politike, ekonomike, ligjore që përfshinte Karta e të Drejtave Universale të Njeriut.

Si mund të shpjegohet fakti se PS u votua në mazhorancë në zona urbane. Dhe në këtë drejtim, programi elektoral i PS nuk pati diferenca apo neglizhim të faktorit rural. Zonat urbane pa kushte ofrojnë kontigjente votuesish më pranë cilësisë së programeve, më të formuara politikisht, më të përgjegjshme në vlerën e votës, se sa zonat rurale.

Personalisht nuk prisja që në Shqipëri do të kishim një proces objektiv votimi. Në katër vjet asnjëherë nuk pamë opozitën të neutralizonte apo të pengonte një aksion politik, teknik me apo efekte korruptive të qeverisë (nënkupto Berishës) në Parlament apo dhe jashtë tij. Në katërvjetëshin e kaluar Berisha formoi profilin e tij si një figurë absolutisht e pacenueshme, ku vullneti dhe vendimi i tij ishin ligj, kur drejtësia anonte vetëm në krahun e tij. Opozita u fut në betejen elektorale në një ambient politik dhe psikologjik të pasigurt, dhe tepër inferior ndaj pushtetit të PD-së.

Nëse në '91-'92 , '97 dhe 2005, fryma e përgjithshme parazgjedhore tentonte drejt një ndryshimi të padiskutueshëm të pushtetit, diskutohej vetëm përmasa e përfaqësimit, në këtë fushate (fatkeqësisht dhe atë socialiste) dominoi mendimi dhe fryma "Berisha nuk e dorëzon pushtetin. Këto zgjedhje nuk do të fitohen se Berisha do t'i vjedhë". Dhe pse propaganda e PS tentoi të amplifikonte se votat do të mbroheshin me çdo formë etj., etj. Opozita nuk arriti në asnjë rast të vetëm t'i bëhej bllok revanshit elektoral të Berishës. As në përdorimin antiligjor te fondeve të shtetit për qëllime elektorale, as në revanshin mediatik të tij, as në përdorimin e tejskajshëm të administratës shtetërore për qëllime elektorale, as dhe as të tjera.

Me, apo pa vullnetin e dëshirën tonë, në PS po ndodh një proces emancipues dhe demokratik jo i panjohur nga ne. Së pari, në politikë, në kushtet e partive të mëdha, në pritshmëri të aksioneve të mëdha transformuese, partitë nuk kërkojnë kryetarin e partisë, por liderin e tyre. E, që të jesh i tillë, duhet të kesh disa tipare, të cilat janë proces dhe jo konjukturë.

Lideri nuk zgjidhet, ai përzgjidhet nga paketa e liderëve potencialë. Këta liderë potencialë nuk janë produkt i pretendimeve apo egove për t'u bërë lider, por i një procesi të gjatë. Duhet theksuar se në periudhën 10-vjeçare, Rama ka pësuar një metamorfozë në formimin e vet politik, por ajo që ka më shumë rëndësi në argument, në këtë kohë administroi instrument të formimit të staturës së vet si lider. Ai drejtoi një fushatë elektorale, u ndesh në fushëbetejë, u mor me organizim, formoi lobingjet e veta brenda PS etj., të tilla hapa dhe etapa të cilat formësojnë liderin potencial në një grupim politik. Po Malaj-Blushi?

Më vjen keq, por ata kanë mungesa të konsiderueshme, natyrisht për t'u matur me stekën e liderit. Asnjëri prej tyre, për hir të së vërtetës, nuk është evidentuar në debate politike (Mos ngatërrojmë debatet televizive me teza politike të mbrojtura në opinion). Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë prova mbi menaxhim organizativ të strukturave politike (përsëri të mos ngatërrojme stafet elektorale me menaxhim të strukturave partiake). Nuk disponohet deri më sot një informacion mbi lobingje të tyre në PS (të mos ngatërrojme lobin me grupime individësh të cenuar në interesa apo qejfmbetje të momentit). E me këtë analizë e thënë troç, Malaj-Blushin për momentin nuk do të mund t'i klasifikoj si liderë potencialë, pra realisht konkurrentë përballë liderit Rama.

Së dyti, PS-ja ndodhet para një realiteti ku: Rezultati i zgjedhjeve ka pika të fuqishme dyshimi. Procedimi "ligjor" për të mos lejuar zbardhjen e dyshimeve të PS (posaçërisht për Tiranën), prodhoi në ambientet militante PS-iste së paku "pretekstin", në të vërtetë bindjen: Se Berisha i ka vjedhur votat, se PS sot duhej të ishte në pushtet. Ky fakt amplifikohet dhe merr përmasë kur në skenën politike futet vendimmarrja e paprecedentë e LSI. Në këto kushte është absurde të gjesh argument dhe të mbrosh në gjirin e PS (dhe jo thjesht për kapricio apo për traditë, por e thënë qartë dhe për bindje) tezën se rezultati ishte ai i merituar. Pra, PS humbi, e për pasojë, kryetari të largohet. Të ndodhur para pretendimit për kryetar të PS, por dhe të ndërgjegjshëm se me Ramën konkurrent (jo prej manipulimit) nuk mund të realizojnë objektivin tyre, Malaj-Blushi prodhuan pa dashje ndarjen morale të tyre nga PS. Theksoj, një ndarje jo nga hierarkia, por nga baza militante e saj. Ata deklaruan humbjen e PS-së.

Dhe këtë humbje e deklaruan atëherë kur ishte tepër shpejt. Kur vetëm propaganda mjaft mirë e dirigjuar e Berishës fliste për fitore dhe pse procesi i numërimit vazhdonte dhe rezultati ishte 50 me 50 %. Kur akoma nuk ishin mbyllur procesverbalet. Kur sistemi prodhonte çudira orë e çast. Kur në fushëbetejë kolegë të tyre ishin rreshtuar në mbrojtje "me gjak" të votës. Kur realisht në terren po denoncoheshin manipulime që seriozisht cenonin pretendimin e fitores së PD. Çdo diskutim mbi pozicionin e Malajt-Blushit në PS do të ishte i tepërt. Si ka mundësi që këta dy persona me eksperiencë në politikë, në fushën e komunikimit politik me militantët, të bënin veprime të tilla? Koha do të zbardhë arsyen, por gjykoj se pas aksionit Malaj-Blushi, të amplifikuar dukshëm nga mediat në krah të koalicionit të ri qeverisës, pozicioni i Ramës në PS është fuqizuar dhe fatkeqësisht aksionet e Blushi- Malajt në PS kanë rënë ndjeshëm.

Theksova më sipër se sot PS s'ka alternativë tjetër përveç Ramës. PS duhet të ndryshojë në aksion.

Do të gjykoja se kongresi do të duhet të konsiderojë: Së pari, se rrëzimi i qeverisë nga opozita në Parlament, do të ishte një utopi. Kjo, jo thjesht nga numrat (të cilët aktualisht suportojne Berishën), por dhe nga përdorimi i padiskutueshem i pritshëm i trafikut politik të pushtetit nga Berisha (si një instrument i njohur dhe i përdorur me mjeshtëri profetike nga Berisha deri më sot).

Së dyti, PS do të duhet të ndryshojë absolutisht imazhin e saj si forcë politike me potenciale njerëzore e politike të afta të menaxhojë si strategjine e re në opozitë sot, ashtu dhe drejtimin e vendit nesër.

Tashmë është më se e qartë se do të ballafaqohemi me atë lloj qeverisjeje që do të ketë në themel të saj parimin e pragmatizmit material. Pra, do të jetë miopi të mos kuptosh se korrupsioni do të jetë tipari themelor i qeverise së re. Ky moment kërkon strukturimin e komponentëve organizativë antikorrupsion brenda PS (të cilat fatkeqësisht mungojnë ose janë jofunksionale) me qëllim marrjen e informacionit. Përgatitjen e demonstrimin e kapaciteteve teknike e politike në PS si kontigjente që do të rikthejnë besimin në potencialet dhe aftesitë në administrimin e shtetit. Strukturimin e institucione që do të përgatisin përpunimin e opinionit publik e politik në vend drejt aksionit të zgjedhjeve të parakohshme (Përpunim opinioni, denoncim korrupsioni, protestave në rrugë, bllokim Parlamenti etj).

Së treti, Ramës do t'i duhet të iniciojë aksione statutore dhe organizative që imponojne demokratizim të strukturës dhe vendimmarrjes në PS. Ai do të duhet tashmë të kuptoje se nuk është kryetari i bashkise, pra drejtues administrativ ekzekutiv, por lider politik. Metamorfoza e staturës së tij duhet të karakterizojë më tej procesin e aksionit opozitar. Kongresi duhet të mandatojë prioritet të platformës së re politike të PS-së:

Sigurimin dhe garantimin pa kushte të demokracisë në Shqipëri, si prioritet i politikës së opozitës. Opozita duhet të demonstroje forcë dhe njëkohësisht të bindë se misioni i saj për garantimin e demokracisë dhe mbrojtjen e interesave të shoqërisë shqiptare do të justifikojë ashpërsinë e aksionit të saj politik. Ajo absolutisht nuk duhet të paraqesë zgjedhjet e parakohshme qëllim në vetvete, por si domosdoshmëri për zhvillimin e sigurt e të qëndrueshëm të vendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›