Manifesti i politikës së re
Dhe vjen një ditë kur një popull i shfrytëzuar, i mashtruar, i rropatur dhe i ç'nderuar moralisht, politikisht dhe fizikisht, zgjohet dhe bëhet i vetëdijshëm për fatet e tij. Dhe vjen një ditë kur ky popull kupton se fatet dhe e ardhmja e tij nuk varet nga një grup politikanësh me mentalitet komunist, me mendje të djallëzuar dhe zemër katran. Dhe vjen një ditë kur ky popull e kupton se është ai zot i fateve të tij dhe se udhëheqja u takon atyre përfaqësuesve me zemër të bardhë, mendje të ndritur, dhe ide të dëlira. Kjo është Shqipëria jonë! Jemi ne gjenerata që na takon të marrim në dorë fatet e vendit tonë. Jemi ne ata që duhet të rilindim Shqipërinë tonë dhe ta drejtojmë atë drejt progresit dhe prosperitetit, ashtu si shumë paraardhës tanë mendjendritur e zemërmirë kanë tentuar për dekada e shekuj me radhë. Jemi ne ata që duhet të sjellim ndryshimin dhe t'ua trashëgojmë Shqipërinë brezave që vijnë shumë herë më mirë nga çfarë e trashëguam ne nga të parët tanë.
Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar dhe as i mungojnë patriotët, burra e gra, të rinj e të reja, fisnik(e), me mëndje te ndritur, zemër të bardhë, dhe ide të dëlira. Por, fatkeqësisht, në dekada a mos shekuj, këta patriotë dhe udhëheqës të vërtet janë vrarë, "shuar" dhe syrgjynosur në humbëtirë, dhe fatet e Shqipërisë janë qeverisur nga politikanë injorantë, hajdutë, kriminelë e batakçinj. Kjo është e vërteta që na rri në mendje dhe që e kemi parë (dhe e shikojmë) për dekada me radhë. Kjo e vërtetë e hidhur filloi që me krijimin e Shtetit Shqiptar, kulminoi me 45 vite të diktaturës komuniste, dhe po vazhdon që prej 20 vitesh me neokomunizëm, anarki, vuajtje, varfëri, dhe padrejtësi.
Kjo është e vërteta e një populli të rropatur nga skamja, të masakruar nga vetvetja (edhe nga të huaj), të endur në një shkretëtirë politike, të ç'nderuar nga politika imorale, dhe të gjunjëzuar nga mungesa e një shprese dhe vizioni përparimtar. Por sot është dita jonë dhe duhet të kuptojmë që jemi ne të zotët e fatit dhe të ardhmes sonë. Ndaj, kjo gjë na motivon të bashkohemi dhe të shikojmë përtej ndasive partiake dhe ideologjike. Ka vetëm një ideologji apo parti, dhe ajo quhet "Shqipëri"! (Jo më kot baballarët e shtetit amerikan, përfshirë këtu George Washington, kishin frikë partitë politike dhe sistemin partiak, për shkak se ata besonin se partitë politike do të përçanin popullin dhe do të manipuloheshin nga një grup i vogël politikanësh, sa të shkathët dhe finokë aq edhe dritëshkurtër dhe diabolikë.)
Por sistemi partiak nuk përbën rrezik kur një shoqëri i jep jetë një sistemi partiak që prodhon një elitë politike të sofistikuar, e cila promovon, përfaqëson, dhe mbron interesat e vetë shoqërisë. (Shoqëria amerikane e vërtetoi këtë argument plotësisht). Si rrjedhojë, ajo që i mungon sistemit partiak në Shqipëri është përfaqësueshmëria që ai u bën vlerave të shoqërisë shqiptare dhe kapaciteti i këtij sistemi për të prodhuar një klasë politike që do të promovonte, përfaqësonte dhe mbronte interesat e kësaj shoqërie. Ndaj është detyra jonë të ngrihemi dhe të ndryshojmë këtë sistem partiak dhe ta kthejmë atë në një sistem legjitim dhe përfaqësues të vlerave të popullit.
Legjitimiteti do të bazohej në produktet e sistemit, dhe përfaqësueshmëria e tij do të bazohej, në vlerat morale dhe politike, mbi të cilat ky sistem do të bazonte aktivitetin e tij.
Ka ardhur koha e një politike ku konsensusi të zëvendësojë konfliktin, ku dashuria të zëvendësojë urrejtjen, ku morali të zëvendësojë imoralitetin, ku vlera të zëvendësojë antivlerën, ku virtyti të zëvendësojë shejtanllëkun, dhe ku drejtësia të zëvendësojë padrejtësinë. Ka ardhur koha që antagonizmi klasor dhe politik i tipit marksist t'ia lërë vendin konsensusit dhe bashkëpunimit midis palëve.
Ka ardhur koha që përplasjet politike të mos privojnë njërën palë nga mundësia për t'i çuar bukë fëmijëve në darkë, apo t'u japë mundësi këtyre të fundit të jetojnë si gjithë fëmijët e tjerë. Ka ardhur koha që kur t'u heqësh bukën nga goja fëmijëve të dikujt për t'ia dhënë dikujt tjetër, kjo të mos quhet "nder", por të quhet zemërligësi dhe padrejtësi.
Ka ardhur koha kur idealizmi të zëvendësojë pragmatizmin dhe kur njeriu politik (homo politicus) të zëvendësojë njeriun ekonomik (homo economicus).
Ka ardhur koha të mos shikojmë thjesht si është jeta jonë, por të mendojmë se si duhet të ishte ajo. Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të ndryshojë radikalisht sistemin partiak në përbërje dhe të bëjë një shpërndarje autoritative të vlerave ndryshe nga çfarë është bërë deri më tani. Ose me saktë, ka ardhur koha që ky sistem partiak të ndryshojë në përbërje, duke implementuar në të sa më shumë vlera morale dhe politike që mbart shoqëria jonë, shumë nga të cilat u përmendën më lart. Kjo situatë kërkon që të gjithë ata individë që aspirojnë për një Shqipëri sa më demokratike dhe të begatë, të përfshihen në këtë sfidë politike duke ofruar kapacitetet dhe vlerat e tyre më të mira. Përmes angazhimit politik masiv ne do të bënim të mundur mbushjen e sistemit partiak dhe politik me vlerat më të mira të shoqërisë.
Ndaj, vetëm një pjesëmarrje e lartë politike do të sillte një konkurrencë të fortë brenda sistemit, gjë e cila do të ndërtonte dhe konsolidonte një sistem partiak dhe politik sa më produktiv dhe me vlera. Por lëvizja për një politikë të re ka filluar tashmë. Ajo nuk mund të ndalet, apo aq më keq, të shuhet. Ajo është një politikë që përçon në popull një mesazh shprese dhe besimi, dhe bazohet në vlerat më të mira të shoqërisë. "Politika e re" nuk duhet konceptuar si një politikë e promovuar dhe e mbështetur nga dhe vetëm për moshat e reja. Politika e re është një politikë gjithëpërfshirëse dhe promovuese, përfaqësuese dhe mbrojtëse e vlerave dhe interesave më të larta të shoqërisë Shqiptare.
Politika e re është një politikë ku konsensusi dominon mbi konfliktin, ku dashuria dominon mbi urrejtjen, ku morali dominon mbi imoralitetin, ku vlera dominon mbi antivlerën, ku virtyti human dominon mbi shejtanllëkun, dhe ku drejtësia dominon mbi padrejtësinë. Por a do të triumfojë "politika e re" mbi atë "të vjetrën"? Pavarësisht bazave dhe konjukturave të vendosura nga "politika e vjetër" këto dy dekada të post-komunizmit shqiptar, apo nga kasta politike e dalë prej saj, triumfi i "politikës së re" është i paevitueshëm. Ai është një fenomen që herët a vonë ka për të "rinuar" edhe vetë politikën e vjetër.