E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i kandidatit, ambasadorët e BE-së hapin dritën jeshile

Brukseli ka ndërmarrë dje vendimin e parë që avancon shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Gjatë ditës së djeshme, në Bruksel janë mbledhur ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian që kanë rënë dakord për nxjerrjen nga zyrtari të shkresës së paraqitur nga Berisha që në pranverën e shkuar. Një diplomat europian i ka deklaruar dje agjencisë "Reuters" se ambasadorët vendosën që të pyesin Komisionin Europian që të përgatisë shkresën për gatishmërinë e Shqipërisë në mënyrë që të nisin negociatat për anëtarësimit. Por vendimi pritet të ndërmerret nga Këshilli i Ministrave të BE-së që zhvillohet më 18 dhe 19 nëntor në Bruksel. Të hënën do të mblidhen ministrat e Jashtëm, ndërsa të martën krerët e shteteve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndërkohë, ditën e premte më 16 nëntor në Bruksel do të mblidhet një takim i Presidencës së BE-së dhe sekretariatit të Këshillit të BE-së dhe Komisionit, për të paraqitur një draft për çështjet e përgjithshme dhe marrëdhëniet me jashtë. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të hapet drita jeshile apo data e negociatave do të kushtëzohet nga zhbllokimi i krizës politike në vend. Këtë e ka deklaruar dje edhe komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, i cili dje është takuar me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta. Aplikimi për statusin e vendit kandidat u dorëzua nga Kryeministri Berisha në prillin e kaluar, në kohën kur Presidencën e Bashkimit Europian e mbante Çekia. Shumë diplomatë të shteteve kryesore të BE-së në Tiranë, këshilluan qeverinë që aplikimi të dorëzohet pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nëse këshilli vendos hapjen e negociatave, atëherë Shqipërisë i dorëzohet një pyetësor i gjatë me më shumë se 100 çështje të rëndësishme, i cili duhet të plotësohet me hollësi dhe përpikmëri nga qeveria shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›