Nishani: Nuk ka ngërç në KLD, konferenca duhet të mblidhet
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaron se Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila zgjedh anëtarët e rinj të KLD-së, duhet të mblidhet, megjithëse nuk ka asnjë ligj. Në një prononcim për mediat, Nishani deklaroi se funksionimi i Konferencës nuk mund të mbetet në ngërç. "Edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetërregullim", deklaroi Nishani, ndërsa shtoi se Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e projektligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, Shoqatave të Gjyqtarëve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. "Qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetorganizimit", tha ministri. Ai ka shtuar gjithashtu se fillimisht, ka pasur një ankesë mbasi ky ligj u kalua në Parlament, por Gjykata Kushtetuese e pezulloi me argumentin se, ligji duhet të kalonte me një shumicë të kualifikuar, 3/5 e votave në Parlament, duke e konsideruar këtë si një ligj organik. Që nga ky moment, Ministria e Drejtësisë ringriti një grup pune dhe tashmë ka realizuar draftimin e një projekti të ri.