Vrasje misterioze në Fier e Pogradec
Trupat e pajetë të dy personave janë gjendur nga kalimtarë të rastit, njëri në qytetin e Pogradecit dhe tjetri në brigjet e detit në fshatin Darzezë të Fierit.
Një 37-vjeçar u gjet në një rrugë të Pogradecit me plagë të rënda në kokë, ndërsa në bregdetin e fshatit Darzezë në Fier u gjet trupi i një të riu i dekompozuar. Policia ka filluar hetimet për të dyja ngjarjet, ndërsa në të dy rastet dyshohet për vrasje, por pritet autopsia që mund të zbardhë shkaqet e vdekjeve.
Pogradec
Trupi i pajetë i Mirash Dekollarit 37 vjeç, u zbulua nga kalimtarë të rastit mëngjesin e së dielës në rrugët periferike të qytetit të Pogradecit. I ndjeri është banor i fshatit Vërdovë, disa kilometra nga ky qytet. Burime nga policia thanë se ai kishte plagë të dukshme në kokë, të cilat mendohet se i kanë sjellë edhe vdekjen. Ndonëse rezultatet përfundimtare do t’i tregojë autopsia, policia pranon se pistat e hetimet janë përqendruar në vrasje me mjete të forta, ose një përplasje nga ndonjë mjet në lëvizje. Ndërkohë mësohet se disa persona janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Fier
Ndryshe nga rasti i Pogradecit, trupi në Fier ende nuk ka një emër. Burime nga policia lokale thanë se bëhej fjalë për një kufomë të dekompozuar të një mashkulli që është gjetur pasditen e të dielës në brigjet e fshatit Darzezë të Fierit. Policia është lajmëruar për gjetjen e tij nga banorë të fshatit që e kanë zbuluar atë rastësisht dhe menjëherë është paraqitur në vendngjarje. Sipas policisë së Fierit, kufoma është e një mashkulli rreth të 30-ave. Hetimet e policisë për zbulimin e shkaqeve të vdekjes së të riut kanë nisur, por identifikimi i tij bëhet i vështirë për shkak të dekompozimit. Policia tha se pret autopsinë që do të saktësojë nëse bëhet fjalë për një vdekje normale, apo për një rast vrasjeje.