Topi dhe Berisha ngushëllojnë familjen e gjeneralit Astrit Mehja
Ndërroi jetë dje si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në moshën 56-vjeçare ish-zëvendësministri i Rendit, Astrit Mehja. Paraditen e djeshme miq, kolegë dhe personalitete të larta të Policisë së Shtetit zhvilluan homazhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për nder të ish-gjeneralit Mehja. Homazhe kreu edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në një prononcim për mediat vlerësoi lart rolin dhe punën e bërë nga Mehja në strukturat e policisë në postet që ka mbajtur. “Sot i japim lamtumirën njërit prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njërit prej drejtuesve të talentuar të Policisë së Shtetit, kolonel, Astrit Mehja. Me këtë rast ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të afërmve të tij, të gjithë policisë, pasi sot përcjellin në banesën e fundit një prind shembullor, një qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm të vendit dhe shoqërisë shqiptare, një drejtues të talentuar të Policisë së Shtetit”, - është shprehur kryeministri Berisha. Presidenti Bamir Topi ngushëlloi gjithashtu dje familjarët e ish-zëvendësministrit të Rendit, Astrit Mehja, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 56-vjeçare. “Humbja e njërit prej drejtuesve më profesionistë e më të përkushtuar të Policisë së Shtetit, Astrit Mehjës, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët, për shtetin dhe për të gjithë shtetasit shqiptarë. Jeta dhe vepra e Astrit Mehjës është tregues i sakrificës dhe profesionalizmit, i cili me punën e tij dhe misionin e përditshëm e të vështirë iu përkushtua mbrojtjes së rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë”, thuhet në mesazhin e Topin.