Vidhet transformatori, dy fshatra pa drita për 12 ditë
Dy fshatra të rrethit të Elbasanit, Graceni, në komunën me të njëjtin emër dhe Shtërmanjë në komunën e Bradasheshit, kanë mbetur pa energji elektrike që prej 12 ditësh. Shkak i ndërprerjes së energjisë për familjet e këtyre fshatrave sipas burimeve zyrtare, është bërë vjedhja e transformatorëve të energjisë nga persona të paidentifikuar. Rreth 200 familjeve të këtyre fshatrave që ndodhen pranë rrugës kombëtare, do t’u duhet të përballen me mungesën e energjisë për një kohë të pacaktuar, ashtu sikurse ka ndodhur shpeshherë gjatë këtij viti edhe në disa fshatra të tjerë të këtij qarku. Kryeplaku i fshatit Gracen, Mexhit Topalli thotë se “prej disa ditësh familjarët dhe bizneset e këtyre fshatrave janë mjaft të shqetësuar për situatën e krijuar nga mungesa e energjisë, e cila nuk dihet se kur mund t’u rikthehet, pasi mungojnë përpjekjet për të rivendosur transformatorë të rinj". Ndërkaq, CEZ është njohur me situatën e krijuar dhe pritet që të zëvendësojë transformatorët, por ende nuk kanë reaguar në lidhje me këtë situatë.