Haxhinasto, Sanino: Integrimi, projekt kombëtar

Kryediplomati shqiptar pret Drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino: Opozita do të ftohet të marrë pjesë në takimin e 15 majit në Bruksel
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto u takua dje me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, z. Stefano Sanino.
Ministri vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve evropiane, në drejtim të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë të veçantë, ai falenderoi z. Sannino për kontributin e tij personal në ndjekjen me vëmendje të proceseve politike në Shqipëri dhe për angazhimin e tij me të gjithë aktorët respektivë në vend, për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Ministri Haxhinasto rikonfirmoi vullnetin e plotë të Qeverisë për të finalizuar me sukses të gjitha përpjekjet për përmbushjen e angazhimeve që janë marrë në Planin Kombëtar të Veprimit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kontekst u vlerësua dinamika pozitive dhe ecuria në drejtimin e duhur në zbatim të 12 prioriteteve të Komisionit Evropian, si një proces kombëtar mbipartiak. Gjithashtu u theksua se ky proces do të jetë plotësisht transparent dhe gjithëpërfshirës. Ministri Haxhinasto bëri me dije se në këtë frymë do të ftojë përsëri, edhe gjatë këtij viti, opozitën të jetë pjesë e delegacionit shqiptar në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së që do të zhvillohet më 15 maj në Bruksel.
Më tej, në takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit në rajon.