Albpetrol, privatizohen vendburimet
Përplasje mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament për ligjin e hidrokarbureve.
Opozita kundër: Po jepni dhe naftën në vijën bregdetare.
Kuvendi ka miratuar dje vetëm me 71 votat e maxhorancës dhe 47 kundër të opozitës ligjin Për hidrokarburet, kërkim dhe prodhim. Privatizimi i vendburimeve të naftës së kompanisë Albpetrol, ka përplasur dje në Kuvend ligjvënësit e majtë dhe të djathtë. Amendamentet e propozuara nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, për ti krijuar mundësi kompanisë që do të privatizojë Albpetrolin të kërkojë vendburime nafte në disa zona të tjera të vendit, ka ngjallur reagimin e ashpër të opozitës. Të majtët janë shprehur kundër privatizimit të vendburimeve të naftës dhe gazit, duke i cilësuar ato si procese klienteliste dhe aspak transparent. Sipas deputetëve të majtë, Ministria e Ekonomisë në relacionet e saj ka vendosur në dispozicion dy lista, A dhe B, ku do të lejohet kërkimi i vendburimeve të naftës, por amendamenti i deputetit Spaho krijon mundësinë e një liste të tretë C, për të cilën ende nuk ka vendndodhjen e zonave ku do të kërkohet nafta. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Sajmir Tahiri shkoi më tej në akuza, teksa theksoi se ky ndryshim që i bëhet ligjit, lë hije dyshimi për gërmimet në vijën bregdetare të vendit, kërkesë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ose, i njohur ndryshe, pakti detar me Greqinë. Meqë Kryeministri në të disatën herë na u drejtua ne se e dimë ku fshihet lepuri, tani ne i themi Kryeministrit ta dijë ku fshihet, fshihet te lista e Nasipit. Në fakt e kam gjysmë pyetje dhe gjysmë koment. A përfshihet ajo pjesë e detit në listën C, që është hedhur poshtë nga marrëveshja e Gjykatës Kushtetuese për paktin detar me Greqinë? Nuk e di nëse ministri do të japë një përgjigje, por në rast se në listën C për hidrokarburet përfshihet dhe një çështje e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e hedhur poshtë, ajo patjetër përbën një skandal, deklaroi deputeti i PS-së.
Reagimi METE
Për ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, lista C do të miratohet pas votimit të ligjit në Kuvend, dhe plotësimi i saj do të mundësohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkaq, kreu i METE theksoi se në asnjë rast nuk do të lejohet shitja e vendburimeve të naftës dhe gazit, por lejimi i përdorimit të tyre. Sipas Naços, që nga viti 2004, qeveria e atëhershme ka mundësuar një marrëveshje për shfrytëzimin e zonës Patos-Marinëz, që nuk i lejon shtetit shqiptar të përfitojë asnjë përqindje. Sipas marrëveshjes që keni firmosur ju, nuk kemi arritur të marrim asnjë % për faktorin R. Dhe kjo është arsyeja që ne kemi sjellë këtë projektligj, që të privatizojmë atë pjesë të mbetur të Albpetrolit, atë pjesë të madhe që keni falur ju dhe që keni mbetur peng i saj. Ne sot po themi publikisht se në bazë të ligjit të shitet kjo pjesë dhe të mos abuzohet më me të, theksoi Naço. Amendamenti i propozuar nga tre deputetë të PD-së është shoqëruar me debate të ashpra dhe me ndërprerjen e seancës plenare. Nënkryetari i PS-së, Erion Braçe, deklaroi se: Ne nuk miratojmë një listë të hapur që ti lëmë Ministrisë të vendosë ato zona që do. Po i kërkohet Kuvendit një listë e hapur, që Ministria të fusë cilin bllok të dojë. Listë të bardhë ne nuk mund të votojmë.
Debati në Kuvend
Edmond Spaho: Qëndrimi i opozitës është Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë. Kur ju privatizuat në 2004 95% të zonave të hidrokarbureve, përse nuk përbën shitje të interesave kombëtare, ndërsa sot që privatizohet vetëm 5 % e saj, bëhet shitje e interesave kombëtare? Nga kontratat tuaja që nuk derdhnin asnjë lek në buxhetin e shtetit. Pse kundërshtoni që Albpetroli i privatizuar të paguajë në buxhetin e shtetit njëlloj sa kompanitë e tjera të nxjerrjes së naftës?
Mimi Kodheli: Ne nuk do pranojmë asnjëherë që e drejta e marrëveshjeve të hidrokarbureve të menaxhohet apo keqpërdoret nga një kompani private, sado prestigjioze të jetë.
Erion Braçe: Lista C nuk ekziston si dokument zyrtar, bashkëngjitur kësaj marrëveshjeje. Sqarimi që bëhet është që nga lista B janë hequr disa zona dhe do jenë në listën C, që do përfshihen më pas në listën C.
Nasip Naço: Ne nuk po shesim rezerva të naftës apo gazit, këto rezerva llogariten në 30 milionë ton dhe rezervat gjeologjike llogariten në 450 milionë ton. Ajo është pronë e të gjithë shqiptarëve, dhe e tillë do të mbetet. Nëntoka është pasuri e të gjithë shqiptarëve.
Saimir Tahiri: Meqë Kryeministri në të disatën herë na u drejtua ne se e dimë ku fshihet lepuri, tani ne i themi Kryeministrit ta dijë ku fshihet, fshihet te lista e Nasipit.
Jozefina Topalli: Ti nuk ishte këtu, nuk e di për çfarë bëhet fjalë.
Sajmir Tahiri: Bërtiti aq fort, saqë dëgjohej deri jashtë.
Jozefina Topalli: Ndien nga oborri ti (Sajmir Tahirit). Qëkur është bërë sekretar i Parë i Partisë në Tiranë, dëgjon që nga oborri ky tjetri.
Nasip Naço
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, deklaroi dje se marrëveshja e miratuar në Kuvend nuk ka për qëllim shitjen e vendburimeve të naftës dhe gazit, por lejimin e kompanisë që do të privatizojë Albpetrolin të mundësojë gjetjen e vendburimeve të reja. Ne nuk po shesim rezerva të naftës apo gazit, këto rezerva llogariten në 30 milionë ton dhe rezervat gjeologjike llogariten në 450 milionë ton. Ajo është pronë e të gjithë shqiptarëve, dhe e tillë do të mbetet. Nëntoka është pasuri e të gjithë shqiptarëve. Me një afat prej 25 vjetësh, ne fitojmë një burim të ardhurash për ekonominë kombëtare, theksoi ministri i Ekonomisë.
Mimi Kodheli
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, deklaroi dje se projektligji i qeverisë synon shitjen e çdo burimi të nëntokës te kompania që do të privatizojë Albpetrolin. Sipas Kodhelit, opozita nuk do ta pranojë shitjen e pasurive të përbashkëta. Shitja e Albpetrol-it u jep fund privatizimeve në sektorin e naftës, ku shteti shqiptar, përveç sektorit të naftës, po bën transferimin e burimeve tek privati, po heq dorë nga të drejtat e posaçme që ka mbi këtë pasuri. Që në këtë mënyrë të mos kemi asnjë, as shteti, as ne. Pronarë të gjësë së përbashkët, tha Kodheli.
Spaho: Albpetrol, 50 % të fitimit në buxhet
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, deklaroi dje se marrëveshja Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve ka për qëllim heqjen e privilegjeve fiskale te Albpetrol pas privatizimit. Thelbi i projektligjit, heqja e privilegjeve fiskale që ka sot Albpetroli. Aktualisht, Albpetrol paguan për zonat e vëna në përdorim nga viti 1993 tatim fitimi në masën 30% të fitimit të realizuar. Kompanitë e tjera paguajnë 50% të fitimit në buxhetin e shtetit, pavarësisht sasive të naftës që ato nxjerrin. Projektligji e vendos Albpetrolin në të njëjtin rrafsh dhe në aspektin fiskal me kompanitë e tjera, pra dhe Albpetrol do të paguajë 50% të fitimit në buxhetin e shtetit dhe jo 30% deri 50% sa paguan në varësi të nxjerrjeve, theksoi Spaho.
Të zgjerohet harta ku do kërkohet nafta
Kompania që do të privatizojë Albpetrolin, do të ketë mundësi të kërkojë për naftë e gaz në të gjithë vendin. Ky është thelbi i propozimeve të bëra dje në seancë nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, si dhe deputetëve Igli Cara dhe Osman Metalla. Në relacionin që i bashkëngjitet ndryshimi i nenit 3, thuhet se heqja e shfuqizimeve të pikave b dhe c të pikës 2 të nenit 12, lidhet me moskufizimin e disa të drejtave që ka sot kjo kompani, përfshirë edhe të drejtën për të menaxhuar zonat hidrokarbure që i janë lën