Statusi koha nuk pret vetem 4 jave per te permbushur detyrimet
Nëse Shqipëria synon të marrê statusin e vendit kandidat në dhjetor, forcat politike shqiptare kanë vetëm 4 javë për tê përmbushur 3 kushtet e mbetura lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartê, ligjin për Nëpunësin civil dhe reformën parlamentare. Konsensusi i forcave politike shqiptare kthehet në urgjencë, në mënyrë që Komisioni Europian t’ia paraqesë në fillim të nëntorit raportin për Shqipërinë Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian. Kjo pasi në shtete anëtare si Gjermania dhe Hollanda, vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë i nënshtrohet pëlqimit të parlamentit të tyre respektiv, përmes një proçedure trejavore. Si rrjedhim, vetëm nëse Komisioni Europian paraqet raportin për Shqipërinë në fillim të nëntorit, Shqipëria ka shanse të marrë statusin e vendit kandidat në samitin e 13 dhe 14 dhjetorit që zhvillohet në Bruksel. Ndryshe nga Serbia që e humbi afatin e dhjetorit dhe mori statusin e vendit kandidat në mars, për Shqipërinë zvarritja e çështjes së statusit përballet me një kalendar tejet të ngjeshur dhe jo të favorshëm. Vitin e ardhshëm shtetet qëndrore të familjes europiane si Gjermania zhvillojnë zgjedhje të përgjithshme dhe si rrjedhim vëmendja për zgjerimin është shumë e vogël, aq më tepër që edhe vetë Shqipëria përballet me fushatën parazgjedhore dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Në të tilla raste, energjitë përqëndrohen te zgjedhjet dhe jo te proçesi i integrimit, edhe pse zgjedhjet janë njëkohësisht një test kyç për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit. Si pasojë statusi i kandidatit do të rrezikonte në këtë rast të vonohej një vit.