Rama: Përshkallëzim të protestave në rast të mosplotësimit të kërkesave
Emanuela Sako
Protestat për autonominë vendore do të përshkallëzohen në rast të mosplotësimit të kërkesave nga ana e pushtetit qendror. Kjo është e vetmja zgjidhje që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkon t’i japë situatës aktuale. Punonjësit e bashkive opozitare nga i gjithë vendi dhe përfaqësues të biznesit të vogël, zhvilluan protestën e paralajmëruar para Kryeministrisë. Ata kërkuan të drejtat e tyre për autonomi vendore, ndërsa kryebashkiaku Edi Rama theksoi se protestat do të përshkallëzohen deri në një zhbllokim të situatës nga ana e qeverisë. Ai theksoi se mbështetësit do të jenë gjithnjë e më të shumtë sepse duhet treguar se një epokë po mbaron dhe një tjetër erë e re po nis. Gjatë fjalimit të tij para protestuesve vendorë nga i gjithë vendi, Rama theksoi se epoka e re do të jetë e demokracisë dhe do të shënojë fundin e një kryeministri me tërbim antiligjor. “Opozita është shpallur nga ky kryeministër si kupola e mafies, ndërsa Bashkia si foleja e kupolës mafioze”, - deklaroi Rama
Deklarata
Rama bëri të ditur se familja-pushtet e kryeministrit Berisha po shkatërron shtetin nga grisja e Kushtetutës, nga shkelja e parimeve të saj dhe hedhja në plehra e ligjit. Sipas kreut të Bashkisë, Berisha po cenon dhe po dhunon çdo ditë e më tepër pushtetin vendor dhe po çon drejt falimentimit biznesin e vogël.
Përsa i përket mitingut që do të bëhet në përkujtim të 8 dhjetorit, protestës së studentëve që rrëzuan diktaturën, ai theksoi se Berisha do t’i mbledhë për të përkujtuar kohën e tij, dhe jo ditën e lirisë së vendit. “Nuk ka demokraci për sipërmarrje dhe nuk ka sipërmarrje pa demokraci. Më 8 dhjetor ne zgjodhëm këtë sistem, po Berisha po e lufton atë, sepse ai nuk është fryma e dhjetorit. Kryeministri ynë vjen nga kultura e denigrimit dhe asgjësimit të tjetrit”, - u shpreh Rama. Protesta e vendorëve bëhet për shkak të ndryshimeve ligjore që prek biznesin e vogël të trajtohet si biznes i madh dhe e çon atë drejt falimentimit. Ligji i ri për taksat sjell mjaft ndryshime dhe detyrime për biznesin e vogël. Përveçse do t’i shtojë TVSH-në dhe do t’i rrisë tatimin mbi fitimin biznesit, do t’i detyrojë të rrisin çmimet, të ulin numrin e punëtorëve, të ndryshojnë pagat e punëtorëve, çka, sipas kryetarit të Bashkisë, i detyron ata të shkojnë drejt falimentit.
Kërkesat
Kryebashkiaku Rama rikujtoi edhe njëherë kërkesat e bëra publike për autonominë e pushtetit vendor. Sipas 5 pikave kryesore, ai kërkoi anulimin e amendamentit të majit 2009, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave. Njëkohësisht, kërkoi që të anulohet vendimi i tetorit 2009, që, në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro tashmë 5 milionë lekë, nuk i klasifikon më si të tilla, po si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta. Krijimi i kësaj situate për biznesin e vogël do ta çonte atë drejt falimentimit. Rama theksoi se duhet të bëhet kompensimi i të ardhurave të munguara, pasi 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive e komunave është bërë përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005. Kërkesat vijuan me faktin që t’i jepet fund praktikës joeuropiane, korruptive, klienteliste e partiake e granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike. Së fundi, kërkesa e pushtetit vendor është që të aplikohen taksat e ndara, ashtu siç e përcakton ligji organik i qeverisjes vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.
Pesë kërkesat e pushtetit vendor
1. Të anulohet amendamenti i majit 2009 në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave.
2. Të anulohet vendimi i tetorit 2009 që, në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro 5 milionë lekë nuk i klasifikon më si të tilla, po si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt falimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël.
3. Të bëhet më në fund, bazuar në të drejtën tonë legjitime, pse jo, edhe në premtimin tuaj të përsëritur çdo vit, kompensimi i të ardhurave të munguara 5 vjet me radhë në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005.
4. T’i jepet fund praktikës joeuropiane, korruptive, klienteliste e partiake e granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike.
5. Të aplikohen më në fund taksat e ndara ashtu siç e përcakton ligji organik i qeverisjes vendore, këtu e dhjetë vjet më parë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.
Konflikti me policinë, vonesa në fillimin e protestës
Protesta e vendorëve para Kryeministrisë nuk ka kaluar pa incidente mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit kanë marrë disa mbeturina në shenjë simbolike për t’i vendosur para Kryeministrisë, por ata kanë hasur në kundërshtimin e forcave policore, të cilët nuk i kanë lejuar. Protestuesit u bllokuan për rreth 45 minuta para hotel “Dajtit”, shkak për të cilën u bë fillimi me vonesë i protestës. Më pas protestuesit u zhvendosën para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër cenimit të autonomisë vendore nga ana e pushtetit qendror.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzoi kryeministrin Berisha se po keqpërdor policinë për të mbajtur pushtetin. Duke iu referuar shoqërimit në komisariat të 18 punonjësve të Pastrimit, Rama tha se shoqërimi i tyre nga policia ishte bërë pa asnjë mandat, duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut. “Policia, pa asnjë të drejtë e asnjë mandat, i shoqëroi në komisariat. Ia kërkova arsyen drejtorit se pse policia mban në komisariat njerëz të pafajshëm dhe përgjigjja ishte: Kështu erdhi koha. Kur policia thotë se erdhi koha, është shenjë e sigurt se një epokë po mbaron e një epokë po fillon. Epokë tjetër që fillon është ose diktaturë, ose demokraci, dhe vijë të mesme nuk ka. Ne jemi këtu sepse epoka e re do të jetë e epokë e demokracisë, dhe jo e një gjysmëdemokracisë“, - deklaroi Rama. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të mos zbatojë asnjë urdhër të paligjshëm. “Mos zbatoni asnjë urdhër të paligjshëm, mos u bëni vegla të një pushteti që ka marrë fund dhe që do t’i marrë të gjithë me vete! Jeni roje e ligjit dhe popullit, nuk jeni lecka për topat e pushtetit“, - theksoi Rama
Topalli - Buttiglione, Parlamenti Europian vlerësoi zgjedhjet në Shqipëri
Shqipëria është vlerësuar nga Parlamenti Europian për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilët janë konsideruar si zgjedhje të rregullta.
Deklarata është bërë nga zëvendëspresidenti i Parlamentit italian, Roço Buttiglione, gjatë një takimi që pati me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Buttiglione i kërkoi opozitës që të njohë zgjedhjet parlamentare dhe kthimin e tyre në parlament. “Vlerësimi unanim i Parlamentit Europian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë që ndoqën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishte se këto zgjedhje ishin të rregullta. U bëj apel forcave politike të njohin rezultatin”, - u shpreh zëvendëspresidenti i Parlamentit italian, Rocco Buttiglione. Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë një progres të madh si politik, ashtu edhe në ekonomi e në demokraci. Në takim u bisedua për proceset integruese të Shqipërisë, për heqjen e vizave vitin e ardhshëm, për përshpejtimin e hapave drejt anëtarësimit në BE, si edhe në forcimin e bashkëpunimit shumëdimensional mes Italisë dhe Shqipërisë.
7 Dhjetor 2009