E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i PS, sanksione të reja për thyerje të disiplinës

Ndryshimet në Statutin e Partisë Socialiste të përqendruara në problemet e organizimit të forumeve dhe vendimmarrjes së tyre duket se do të synojnë edhe një forcim të disiplinës. Burime nga selia rozë bënë të ditur se normat e reja janë fokusuar në përmirësimin e disa elementeve me karakter organizativ, në rishikimin e problemeve që lidhen me kompetencat, por edhe me sanksionimin e penaliteteve për të gjithë ata drejtues apo të zgjedhur që nuk respektojnë vendimet. Edhe pse të përfshira si norma në statutin ekzistues është e pritshme që theksimi dhe rregullimi me karakter juridik të ripërkufizojë raportet mes respektimit të linjës zyrtare dhe artikulimit publik të mendimit ndryshe. Ndryshimet parashikojnë konsumimin e debatit për çështje të ndryshme brenda diskutimeve që bëhen në forume, por që me marrjen e vendimit nuk mund të bëhen pjesë e një debati që zhvendoset në media. Në fakt është ende e paqartë se cilat mund të jenë penalitetet për veprime të kësaj natyre, por angazhimi institucional në këtë drejtim dëshmon për një ndjeshmëri ndaj atyre që njihen si zëra ndryshe. Sa i përket organizimit të forumeve është me rëndësi opsioni i rikthimit të skemës së dikurshme të degëve nëpër rrethe. Burimet pranë PS-së bëjnë të ditur se një mundësi reale është rikthimi i PS-së së rrethit, i cili mendohet se është më funksional dhe i përgjigjet më mirë traditës së kësaj partie.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›