KFOR-i filloi tërheqjen nga Shtërpca
Mbi 150 ushtarë të batalionit polako-ukrainas të KFOR-it kanë filluar të shtunën dislokimin nga Shtërpca për në bazën Bondsteel afër Feizajt, kanë njoftuar mediat lokale. Kompetencat dhe përgjegjësinë e plotë për siguri në Komunën e Shtërpcës do ta marrë mbi vete Policia e Kosovës. Siç raporton gazeta “Blic”, ushtarët nga Polonia dhe Ukraina kanë qenë të vendosur në hotelin “Breza” në Shtërpcë për 11 vjet. Ata do të mbikëqyrin ngjarjet në këtë komunë me anë të patrullave të kohëpaskohshme të lëvizshme. Komandanti i batalionit, Mihail Zabrocki, ka thënë se lë prapa vetes një situatë të mirë të sigurisë. “Policia e Kosovës duhet të punojë e pavarur në ruajtjen e sigurisë, kurse KFOR-i do të jetë hapi i dytë apo i tretë i sigurisë. Në çdo moment do të jemi të gatshëm të ndihmojmë njerëzit në Komunën e Shtërpcës”, tha Zabrocki. Sipas mediave serbe, në Komunën e Shtërpcës jetojnë rreth 12000 serbë dhe rreth 3000 shqiptarë. Sipas kryetarit paralel të komunës, radikalit Zvonko Mihajloviç, kjo tërheqje është një farsë me të cilën dëshirohet të tregohet se në Kosovë ka sundim të ligjit dhe se serbët mund të lëvizin lirshëm. Ai tha se serbët fatkeqësisht nuk mund të bëjnë asgjë sa i përket çështjes së tërheqjes së njësisë së KFOR-it, pasi prapa këtij vendimi qëndrojnë përfaqësuesit amerikan të KFOR-it. Sipas tij, Policia e Kosovës nuk mund të marrë rolin e KFOR-it, sepse nuk është e aftë t’u përgjigjet sfidave të mëdha.
#