Përdhunuesi i gjimnazistes pret damarët brenda burgut
E kapin me celular në qelitë e Burgut të Burrelit dhe për t’i shpëtuar izolimit ka tentuar të vetëvritet, duke prerë damarët e dorës me një brisk rroje. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Klodian Kurti, nga fshati Luzni i Dibrës, i cili është dënuar me pesë vjet burg për përdhunim. Ka qenë ora 02.00 e natës, kur i burgosuri i Burgut të Burrelit ka tentuar vetëvrasjen. Sipas të dhënave zyrtare, kanë qenë gardianët e burgut, ata që kanë vënë re shumë shpejt përgjakjen e duarve të të dënuarit, i cili ka prerë damarët dhe menjëherë kanë ndërhyrë, duke e dërguar në dhomën e mjekimit të burgut. Menjëherë mjekët i kanë izoluar rrjedhjen e gjakut për momentin.
Fillimisht Klodian Kurti është dërguar në spitalin e Burrelit, por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka bërë që drejtuesit e burgut të kërkonin ndihmën e eprorëve të tyre. Burime zyrtare nga Burgu i Burrelit bëjnë të ditur se menjëherë ata kanë lajmëruar edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka kërkuar edhe ndihmën e Ministrisë së Brendshme për të dërguar një helikopter, me qëllim për ta dërguar Kurtin në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve të këtij spitali, të cilët kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën Kurtit, ai po u nënshtrohet mjekimeve intensive dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa një grup hetimor është ngritur për të zbardhur plotësisht ngjarjen, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Prokurorisë së Burrelit, ku sipas tyre, mësohet se një tjetër pistë që po hetohet përveç gjetjes së celularëve, lidhet edhe me pretendimet e të dënuarit se ai kishte aplikuar për leje për të vajtur në shtëpi dhe i ishte mohuar nga ana e drejtuesve të burgut.
Klodian Kurti ishte arrestuar më 6 maj 2007 nga ana e Policisë së Dibrës, pas një denoncimi të kryer nga një gjimnaziste në fshatin e tij. 16-vjeçarja ka pretenduar se ai e kishte përdhunuar. Kurti është nga fshati Luzni e Dibrës dhe në momentin e kryerjes së krimit, ai i kishte zënë pritë vajzës V. L., në çastin kur ajo po kthehej nga shkolla për në shtëpi. Në fillim, Kurti tentoi ta mashtronte nxënësen e vitit të dytë, pasi jo shumë larg ndodheshin banorë të fshatit. Duke përfituar nga mospasja në qarkullim të njerëzve, në një moment të caktuar Kurti ka tërhequr vajzën duke i mbyllur gojën me dorë dhe e ka tërhequr me forcë afër përroit të fshatit, ku edhe e përdhunoi. Vajza e tronditur, kur ka mbërritur në shtëpi u ka treguar prindërve, të cilët pa vonuar kanë bënë denoncimin në polici. V.L. e kishte njohur autorin, duke e bërë kështu më të lehtë punën e policisë, e cila e arrestoi brenda 24 orëve Klodian Kurtin nga momenti i përdhunimit. Pas hetimeve që kishte zhvilluar Prokuroria e Dibrës dhe ekspertizës mjekoligjore të kryer ndaj 16-vjeçares, Klodian Kurti ka pranuar akuzën. Gjatë gjyqit, prokuroria kërkoi që ai të dënohej me shtatë vite burg, ndërsa gjykata e këtij rrethi e ka dënuar atë me pesë vite burg. Deri tani ka kryer dy vite burg. Pas marrjes së dënimit rreth një vit e gjysmë më parë, Klodian Kurti ishte transferuar nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Dibrës për në Burgun e Burrelit.
Ngjarja që i ka tronditur jo pak dikasteret, ku varet edhe burgu i Burrelit, ka bërë që specialistë të Drejtorisë së Burgjeve të mbërrijnë në Burrel për t’u informuar më shumë për rastin. Deri tani nuk bëhet fjalë për ndonjë masë konkrete ndaj drejtuesve aktualë të Burgut të Burrelit, por gjithçka duket se do varet pas përfundimit të hetimeve. Nuk është rasti i parë që Burgu i sigurisë së lartë të Burrelit bëhet arenë e lajmeve të ndryshme. Para tre vitesh, nga ky burg tentuan të arratiseshin dy të dënuar me burgim të përjetshëm, Fran Marashi dhe Pashk Lleshi (Biba), të cilët edhe pse mundën të largoheshin nga qelitë, u arrestuan nga Policia e Burrelit. Pas kësaj ngjarje pati një furtunë lëvizjesh dhe dënimesh të punonjësve të këtij burgu. Ndërsa ngjarja e djeshme ka bërë që masat e sigurisë të shtohen akoma më shumë dhe në ambientet e burgut të ketë më shumë uniforma policie. Në këtë burg ndodhet aktualisht edhe Zani çaushi, i cili, edhe pse është i dënuar me burgim të përjetshëm, pak vite më parë u martua brenda në qeli me një vajzë nga Burreli.
#