E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stavileci në “Festivalin e domates"

Ministria e Bujqësisë, hortikulturën e konsideron si një ndër sektorët më prioritar dhe me potencial të shtuar për të rritur nivelin e prodhimtarisë në vend, ka thënë ministri i Blerand Stavileci, në Mamushë, ku u mbajt “Festivali i domates”.

Më këtë rast, Stavileci tha se organizimi i ngjarjeve të tilla mundëson që fermerët, shoqatat e fermerëve dhe ekspertë të kësaj fushe të promovojnë të arriturat e sektorit të prodhimtarisë së domateve dhe perimeve në këtë regjion, si dhe të këmbejnë përvojat e tyre të shquara që afektojnë ndjeshëm zhvillimin e këtij sektori.

“Ministria e Bujqësisë, hortikulturën e konsideron si një ndër sektorët më prioritar dhe me potencial të shtuar për të rritur nivelin e prodhimtarisë në vend, dhe ne tashmë, me vetë faktin e dyfishimit të buxhetit për vitin 2010, e kemi konfirmuar qartë dhe në mënyrë të vendosur gatishmërinë dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha objektivave që dalin nga strategjia për zhvillimin e hortikulturës”, theksoi ministri Stavileci.

Ndërsa njoftoi se vlera e mjeteve të ndara për zbatimin e programit zhvillimor të hortikulturës, këtë vit arrin vlerën 1.4 milion euro dhe është hartuar programi i granteve investuese për ngritjen e pemishteve të reja, vreshtave të reja, serrave të reja, si dhe për përkrahje me pajisje për ekonomitë bujqësore.

“Festivali i domates” do të jetë tradicional, kurse kjo ishte hera e dytë që organizohet ky festival nën patronatin e Komunës së Mamushës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›