E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk frikësohet për karrierë

Formalisht i akuzuar nga gjyqi francez që kishte marrëdhënie me prostitutën Zahia Dehar, kur ajo ishte ende e mitur, futbollisti i Bayern Munchen, Franck Ribery ka pranuar se ka bërë një gabim të madh, por ka shtuar se ndihet i pafajshëm.

Futbollisti i përfaqësueses franceze insiston se nuk ishte në dijeni të moshës së Zahias. Mesfushori francez e ka dhënë një intervistë për tabloidin gjerman Bild, duke thënë se nuk frikësohet për shkatërrimin eventual të karrierës së tij.

“Nuk kam frikë për të ardhmen dhe për karrierën time, as te Kombëtarja e as në Bayern Munchen”, ka thënë Ribery i cili i dha fund heshtjes së tij për këtë temë.

“Më duhet ta falënderoj klubin dhe familjen time për mbështetjen e tyre të pafund, pasi presioni në mua ishte enorm. Tash më duhet ta marr veten, edhe pse e di se do të arrijnë momente tjera të depresionit”, vazhdoi 27 vjeçari.

Ylli i Bayern Munchen bashkë me sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, janë akuzuar se kishin raporte seksuale me një të mitur me origjinë marokene. Nëse dalin të fajshëm, futbollistët mund të dënohen me nga tri vjet burg. Por, ish futbollisti i Marseille ndihet i pafajshëm.

“Nuk kam bërë asgjë të keqe me dashje. Ky është një moment i rëndë për mua, por më duhet të dal nga kjo gjendje. Jam i bindur se do ta rrëmbej besimin e njerëzve, të cilët janë zhgënjyer nga unë, dëshiroj t’i bëj të zbaviten. Dëshiroj ta krijoj një ndjenjë pozitive dhe t’i rikthehem golave, saktë siç bëja në të kaluarën”, tha në fund Ribery.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›