Stefan Fyle, në Tiranë për të përgëzuar politikën për kursin e reformave

Komisioneri për Zgjerimin do të vizitojë nesër Shqipërinë
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule do të vizitojë nesër vendin tonë, vizitë kjo e paralajmëruar disa javë më parë nga vetë zyrtari i lartë i Brukselit. Në këtë vizitë, Fyle do t’i drejtohet më një fjalim Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në axhendë janë parashikuar takime me krerët më të lartë të shtetit si kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe presidentin e Republikës.
Vizita e Stefan Fyle vjen në një moment deçiziv për punën e Kuvendit në miratimin e reformave të Brukselit (12 rekomandimet, reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit) dhe zgjedhjen e presidentit të republikës. Pritet që në fjalimin e tij, Fyle të shprehë vlerësimin e BE për arritjet në reforma, pas miratimit të një sërë ligjesh me 3/5 me konsensus të gjerë mazhorancë-opozitë.
Reforma zgjedhore është drejt përfundimit dhe mesazhi i komisionerit evropian pritet të shërbejë si katalizator për kompletimin e saj.
Zgjedhja e Presidentit është çështja e radhës në realizimin e detyrave të klasës politike dhe për ndërkombëtarët mesazhi ka qenë i qartë që në krye të herës, për një proces të bazuar në Kushtetutë.
Në prag të vizitës së tij në Shqipëri komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka deklaruar se po shkoj në Shqipëri për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë, jo vetëm të Brukselit, por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë.
“Nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit”, ka theksuar Fyle.
Komisioneri për Zgjerimin ka thënë se viti i shkuar nuk ka qenë viti më i mirë për proçesin e integrimit të Shqipërisë, por që atëherë është vërejtur një angazhim, i cili ka sjellë edhe frytet e veta.
“Mungesa e gjithëpërfshirës është parë si një vetëplagosje këtu në Bruksel. Por në nëntor u tregua një mirëkuptim nga të gjithë palët e interesuara në Shqipëri , të cilat ripërtërirën angazhimin për procesin europian. Që atëherë, ne kemi vërejtur që ky angazhim ka sjellë frytet e tij duke përforcuar karakterin e gjithëpërfshirës të reformave dhe hapave që janë të nevojshme për vendin për të ecur përpara. Ka patur një periudhë shumë intensive muajt e fundit midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian: Plani i veprimit, avokati i popullit, janë aprovuar ligjet me tre të pestat. Gjërat nuk janë ndoshta perfekte, por gjërat janë duke ecur pa dyshim në drejtimin e duhur”, ka deklaruar Fyle.
Ndërkaq ai është shprehur se axhenda e tij në Tiranë do të jetë shumë e ngjeshur, ku pritet edhe një fjalim i tij në parlamentin Shqiptar.
“Do takohem me presidentin, kryeministrin, ministren e integrimit, ministrin e jashtëm, liderin e opozitës. Dhe jam shumë i interesuar që të mbaj një fjalim në parlamentin shqiptar. Mesazhi do jetë që politika shqiptare mundi të arrinte gjithëpërfshirjen dhe ne jemi gati që ta ndihmojmë Shqipërinë”, ka nënvizuar komisioneri për Zgjerimin.
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian Stefan Fyle viziton Shqipërinë nesër, në kuadër të përmbushjes së 12 rekomandimeve që vendi ynë duhet të zbatojë për të marrë statusin kandidat.