Stefanoviç: Deklaratat e Tahirit nuk janë të sakta

Në prag të arritjes së marrëveshjeve në fillim të korrikut, shtohen edhe deklaratat që kundërshtojnë njëra-tjetrën ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Të dyja palët i interpretojnë në mënyrë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra marrëveshjet të cilat priten të arrihen mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën serbe Blic, shefja e delegacionit kosovar Edita Tahiri ka deklaruar se sipas marrëveshjes e cila pritet të arrihet Serbia duhet të pranojë vulat e Doganave të Kosovës dhe të pranojë target e automjeteve me shenjën RKS (Republika e Kosovës).
Sipas saj, banorët e Kosovës do të mund të hyjnë në Serbi vetëm me letërnjoftime, kurse për tranzit në shtetin e tretë do ta tregojnë pasaportën e Republikës së Kosovës.
Por deklaratat e Tahirit janë përgënjeshtruar nga shefi I delegacionit serb Borko Stefanoviç i cili thekson se shumica e deklaratave të saj nuk është e saktë.
“Më shumë se gjysma e asaj që thotë Edita Tahiri nuk është e saktë. Këto janë synimet e saj për zgjidhjet. Natyrisht që qytetarët e Kosovës nuk do të mund të qarkullojnë në Serbi me targa dhe me shenjën RKS, dhe natyrisht nuk do të mund të përdorin të ashtuquajturat pasaporta të Kosovës”, ka thënë Stefanoviç.