Stefanoviç: Marrëveshjet me Prishtinën duhet të zbatohen
Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar sot se marrëveshjet e arritura me Prishtinën, nuk janë kundër interesave të serbëve të Kosovës dhe se të gjitha organet shtetërore, në secilin nivel, duhet t`i zbatojnë vendimet e shtetit të tyre.
Këto komente u bënë pasi përfaqësues të serbëve nga institucionet paralele, në pjesën veriore të Kosovës, kanë thënë se marrëveshjet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, janë në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe se nuk do të lejohet zbatimi i tyre në katër komuna në veri.
“Ne si shtet kemi pamundësuar çfarëdo lëvizje, e cila do ta shkelte Kushtetutën tonë ose do ta vërtetonte të ashtuquajturën shtetësi të Kosovës. Të gjitha të tjerat, janë interpretime të subjekteve të caktuara politike nga veriu i Kosovës, që në këtë moment janë qëllimkëqia dhe të dëmshme për interesin shtetëror të Serbisë”, tha Stefanoviç për agjensinë Beta.