Stefanoviç: Nuk do pranojmë vulat e Kosovës
Shefi i ekipit serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanoviç, ka thënë se vulat e Kosovës nuk duhet të kenë atribute të shtetësisë dhe që në aspektin e statusit duhet të jenë neutrale. Po ashtu ai ka nënvizuar se propozimi i Qeverisë së Serbisë do të njihet në fillim të muajit të ardhshëm.
“Do të shohim në fillim të shtatorit se çfarë zgjidhje do të gjejmë. Në çdo rast, ajo nuk do të nënkuptoj që vulat të ketë atribute të shtetësisë së Kosovës dhe dokumentacioni përcjellës duhet të jetë neutral në aspektin e statusit”, ka thënë ai. I pyetur për marrëveshjen me KFOR-in, shefi i ekipit serb, është shprehur se momentalisht është në rregull.
“Natyrisht, ka disa probleme në zbatim, por kjo punë tashti po jep rezultat, kështu që mund të futemi në dialog”, ka thënë ai duke shtuar se serbët e Kosovës kanë arsye të kenë frikë nga presioni i organeve të Kosovës dhe shtrimit të ndikimit të Prishtinës.
“Prishtina do të vazhdoj ta provoj këtë, ndërsa ne duhet që të sigurojmë edhe qarqet ndërkombëtare, edhe praninë tonë që ta ndalojmë këtë”, theksoi Stefanoviç.