E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanovic: Qartësohuni për rezolutën 1244

Borisllav Stefanoviç

Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic, ka bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë pas Vitit të Ri, po qe se “pala tjetër ndryshon qëndrimin e saj rreth Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara”.

Sipas të gjitha gjasave, pas Vitit të Ri do të vazhdojmë negociatat me Prishtinën. Por, për të ardhur deri te një gjë e tillë duhet të qartësohet situata rreth Rezolutës 1244, ka thënë Stefanovic për mediat serbe.

Sipas tij, pala serbe kërkon përfshirjen e Rezolutës së OKB-së në përfaqësimin e Kosovës.

Duke komentuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, ai ka thënë se qytetarët, së shpejti, nuk do të paguajnë sigurimin e makinave në pikëkalimet me Kosovën, pasi, siç është shprehur, shoqatat e sigurimeve të të dyja palëve do të nënshkruajnë marrëveshje.

Beogradi ka vendosur tarifën prej 60 eurosh për kosovarët, të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb – vendim, të cilit Prishtina zyrtare i është përgjigjur me reciprocitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›