LDK: Qeveri harxhuese

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri vlerësoi se Raporti i Progresit për Kosovën i prezantuar dje është një raport shqetësues, i cili tregon qartë se vendi jonë nuk ka arritur progres të rëndësishëm në asnjë fushë.
Sipas tij, për LDK-në mbetet problematike edhe më konstatimi i raportit ku thuhet se Kosova ka hyrë në një proces mashtrimi elektoral, ndërsa nuk ka hezituar ta quaj PDK-në një parti pakicë, e cila po menaxhon me ekzekutivin.
“Duke besuar që kjo parti e pakicës e cila po menaxhon dhe po udhëheq me ekzekutivin e vendit në bazë të këtyre rezultateve ka treguar qartë që ka menaxhuar shumë keq buxhetin e shtetit, është ekzekutiv që nuk ka mundur të funksionalizoj rendin dhe ligjin, e ka rritur shkallën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbi të gjitha mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar dhe luftuar këto dukuri”, ka thënë ai.
Duke folur për rolin e LDK-së në parlament, Haziri ka thënë se kjo parti ka luajtur një rol konsensual dhe se ka qenë mbrojtësja e Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së presidenti dhe politikisht është angazhuar që të zgjidhet kriza presidenciale në vend.
Edhe deputetja Vjosa Osmani ka dhënë vlerësimet e saj lidhur me të gjeturat në Raportin e Progresit për Kosovën. Ajo tha ngecjet në fushën e sundimit të ligjit, janë një nga faktorët të cilët e kanë dëmtuar edhe imazhin e Kosovës në botë dhe po e ngadalësojnë rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
“Lidhja Demokratike e Kosovës në çdo moment në veçanti si parti opozitare në vend e ka paraqitur brengen lidhur me miratimin e këtyre ligjeve që ka të bëje me dy aspekte kryesore. E para se shumica e ligjeve po miratohen dhe pastaj po mbesin ne sirtarët tona pa asnjë pikë zbatimi, mbi të gjitha për shkak të mungesës së vullnetit politik për zbatimin e tyre që kanë të bëjnë sidomos me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe e dyta, sepse po miratohen ligje që nuk po kanë buxhet, e që nënkupton përsëri se Qeveria nuk ka vullnet që këto ligje të hynë në fuqi të zbatohen”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, bazuar në rezultatet e nxjerra në Raportin e Progresit, shqetësues mbetet edhe çështja e sfidave ekonomike.
“Kjo Qeveri e ka konfirmuar që nga fillimi i mandatit që është vetëm Qeveri harxhuese që nuk dinë të menaxhoj buxhetin. Deficiti i buxhetit ka arritur në një shkallë që nuk ka qenë në asnjë moment që kur Kosova është bërë e pavarur dhe mbi të gjitha i ka sjell Kosovës një keqpërdorim të mjeteve publike, për shkak të gjëja mbajtëses së disa premtimeve elektorale ka rrënuar dhe ka prishur raportet me FMN-në që domosdoshmërish ka ndikuar pastaj edhe ne prishjen e raporteve me Komisionin Evropian”, ka thënë ajo.