Stefanoviç mohon marrëveshjen

Një natë e çuditshme ka qenë të premten mbrëma, në përfundim të ditës së tretë të raundit të tetë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian, në një komunikatë të lëshuar vonë në mbrëmje, konfirmoi se palët kanë arritur pajtim për kontrollin e menaxhuar të pikëkalimeve. Këtë e konfirmoi edhe shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, duke përmendur termin integrim i menaxhuar i kufijve.
Por, Borislav Stefanovic, shef i delegacionit të Serbisë, habiti gazetarët duke mohuar se është arritur ndonjë marrëveshje.
“Çështja është se ne realisht kemi lëvizur... Por, marrëveshja nuk është arritur ende”, deklaroi Stefanovic dhe shtoi se në parim “ne jemi vërtet afër për ta finalizuar këtë marrëveshje”.
Edita Tahiri u pyet edhe rreth kësaj deklarate të Stefanovicit dhe ajo u përgjigj:
“Ju e dini për deklaratat joserioze të Stefanoviçit. Unë kam përvojë disa herë me këtë lloj të deklaratave. Megjithatë, unë mendoj se ai në bisedime dhe në tryezë ishte serioz”.