Steinbach: Serbia në BE, pas njohjes së Kosovës
Gjermania mbështet hyrjen e Kosovës dhe të Serbisë në BE, si dy shtete. Por sipas ambasadorit të parë të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, BE-ja asnjëherë nuk do pranojë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.
Në një intervistë ambasadori në largim i Gjermanisë, Hans Dieter Steinbach, ka thënë se në rrugën e Serbisë drejt BE-së do të vijë edhe momenti kur ajo do të duhet ta njohë Kosovën.
Pas tre vitesh si ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ambasadori Steinbach flet edhe për shumë zhvillime tjera. Sipas tij problemet e veriut do të duhej të adresoheshin pas një kohe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket përfundimit të fazës së mbikëqyrjes, ambasadori gjerman u shpreh se Kosova është një vend i pavarur dhe duhet ta marrë fatin e vet në duar. Plani i Ahtisaarit e parasheh që ISG-ja, të bëjë vlerësimin dhe kjo do të ndodhë.