E Diel, 1 Nëntor 2026

Steinberg në mbrëmje në Tiranë, nesër takon Topin, Berishën, Ramën

TIRANE- Zëvendëssekretari i shtetit amerikan, James B. Steinberg pritet të zbresë sot në mbrëmje në aeroportin "Nënë Tereza", për të nisur nesër paradite takimet intenisve me zyrtarët më të lartë të shtetit për të diskutuar mbi zgjidhjen e krizës politike ku ndodhet vendi.

Në këtë udhëtim Zëvendëssekretari i shtetit amerikan do të shoqërohet nga zëvendësndihmës sekretari i shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Tomas Kantrimen. Për Kantrimen kjo është vizita e dytë brenda disa ditësh që zhvillon në Tiranë me qëllim gjetjen e një rruge për zgjidhjen e krizës.

Në takimet që do të zhvillojnë në Shqipëri, diplomatët amerikanë do të ritheksojnë rëndësinë e zgjedhjeve lokale për zgjidhjen e ngërçit politik si dhe do të përforcojnë rolin e prokurorës së përgjithshme në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.

Deri tani informohet se në axhendën e takimeve është parashikuar takimi me presidentin Bamir Topi, në orën 09.40 minuta në presidencë. Më pas do të vijojë takime të vecanta me kryeministrin Berisha, në orën 10:00 dhe me kryetarin e PS, Edi Rama. Vizita zhvillohet në kuadër të një turneu katër ditor në Gjeorgji, Azerbaixhan, Shqipëri dhe Bosnjë.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›