E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sterviten ne Zall Herr, dy forca speciale bien nga helipokteri

TIRANE- Dy efektivë të forcave speciale të ushtrisë bien nga helikopteri gjatë një ushtrimi stërvitjeje të zhvilluar në prani të disa atasheve të NATO-s.

Ngjarja ka ndodhur të martën, në repartin e regjimentit Komando në Zall Herr, në verilindje të Tiranës, kur dy efektivët e ushtrisë ishin të varur me litarë jashtë helikopterit.

Dy specialët e ushtrisë mësohet se ndodhen për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe ndërsa për njërin mjekët siguronin se ishte plotësisht jashtë rrezikut për jetën, për të dytin gjendja ishte ende e rëndë. Dy specialët e plagosur mësohet të jenë nënoficerët Alban Kurti dhe Albert Kuçaj. Lajmi konfirmohet edhe nga burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas të njëjtit burim, vetë ministri Arben Imami është interesuar për gjendjen e dy ushtarakëve të plagosur nga rrëzimi prej lartësisë.
Ngjarja
Ka qenë një stërvitje e zakonshme, ajo e zhvilluar në ambientet që i përkasin regjimentit Komando. Stërvitja përkonte me vizitën e së hënës të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përkatësisht përfaqësues të Nënkomisionit të Marrëdhënieve Transatlantike, të kryesuar nga senatori italian, Sergio de Gregorio. Në përbërje të këtij delegacioni kishte  përfaqësues të parlamenteve nga Anglia, Franca, Spanja, Portugalia, Polonia, Turqia, Maqedonia e Serbia. Në stërvitje ka pasur edhe disa atashe ushtarakë nga këto vende. Burime të besueshme të Gazetës bënë të ditur se, gjatë manovrave të helikopterëve në ajër, ka qenë një pakujdesi që ka sjellë rrëzimin e dy ushtarëve që gjendeshin në njërin prej mjeteve fluturuese të ushtrisë. Kolegë dhe shokë të tyre, si dhe ekipi mjekësor i repartit, u kanë dhënë ndihmën e parë dy ushtarëve të plagosur si pasojë e rrëzimit dhe më pas i kanë dërguar me urgjencë për ndihmë të specializuar mjekësore në Spitalin Ushtarak. Burimet thanë se mjekët nuk kanë e kanë të arsyeshme për një ndërhyrje më të specializuar në ndonjë klinikë jashtë vendit, ndonëse interesimi i ministrit Imami nuk ka munguar për të vënë në lëvizje kanalet zyrtare në rast se do të kërkohej një transferim i tillë. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, Kurti ndodhet në një gjendje më të rëndë, ndërsa për Kuçajn nuk ka më asnjë rrezik apo dëmtime të parikuperueshme.
(GSH/Gerti Xhaja/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›