Stërvitja ushtarake “STEADFAST DART 2027”, delegacioni britanik vizitë zyrtare në Portin e Durrësit

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Një delegacion ushtarak britanik zhvilloi një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku diskutoi mbi mundësitë e përdorimit të kapaciteteve portuale për nevojat logjistike të stërvitjes ushtarake “STEADFAST DART 2027”, e planifikuar për mars-prill 2027.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, priti delegacionin britanik, të shoqëruar nga atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, nënkolonel David Strong, dhe asistenti ushtarak Gerd Kaceli.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, gjatë takimit u diskutuan kapacitetet infrastrukturore dhe operacionale të portit, si dhe mundësitë e vënies së tyre në funksion të nevojave logjistike të stërvitjes.
Vizita u zhvillua në kuadër të komunikimit dhe koordinimit paraprak mes palëve për aktivitetet e planifikuara gjatë vitit 2027, duke evidentuar rolin e Portit të Durrësit si një nyje e rëndësishme e transportit dhe logjistikës në rajon.
1 nga 4/e.xh/j.p/