FOTOGALERI/ Përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, qytetarë dhe efektivë të plagosur

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Situata e protestës së sotme pranë Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me pjesëmarrjen e studentëve, gjimnazistëve, por edhe qytetarëve është shoqëruar me tensione dhe akte dhune.
Ndërsa protestuesit kanë qëlluar në drejtim të forcave “Shqiponja” dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, sipas policisë, me sende të forta, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastiqe, lëndë piroteknike, bomba molotov, policia u është kundërpërgjigjur duke hedhur vazhdimisht gaz lotsjellës.
Sa i përket edhe përdorimit të plumbave gome, kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita deklaroi sot se gjatë tubimeve të dhunshme, ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit përdor mjetet e përcaktuara nga legjislacioni dhe procedurat standarde të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e punonjësve të Policisë. Përdorimi i këtyre mjeteve bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut.
Si pasojë e këtyre përplasjeve, të tjerë efektivë, por edhe qytetarë kanë mbetur të plagosur.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, të cilët nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre.