E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stiller: 40-vjeçarët e sotëm?

Aktori 44-vjeçar, protagonist në filmin e ri “Greenberg”, tregon për planet e tij të reja. Përveç kinemasë, vlen edhe aktivizimi nëpër fushata sensibilizmi për të ndërtuar Haitin U duhet guxim për të jetuar jetën”

“është një ëndërr e kthyer në realitet, fakti i të qenit këtu: më në fund i ftuar në festivalin e Kanës”. Stiller ndodhet vërtet në Kanë, por jo për festivalin e filmit, por për atë të publicitetit “Cannes Lions 2010”, që e sheh si protagonist për një fushatë solidarizimi së bashku me “Yahoo”-në për të mbledhur brenda pak ditëve një shumë prej 50000 dollarësh për ndërtimin e një shkolle në Haitin e rrënuar nga tërmeti. “Shkrepëm një foto në konferencën e shtypit dhe e vendosëm në “Flickr”, ndërsa “Yahoo” u angazhua të japë një dollar sa herë që shihet fotoja, derisa të arrihen 50 mijë dollarët e nevojshëm për të ndërtuar një shkollë me kushte bashkëkohore. Jam i sigurt se do të na duhen vetëm disa ditë”, shpjegon Stiller. Fushata është shumë më e gjerë dhe e sheh aktorin amerikan në rresht të parë për ndërtimin e sistemit edukativ haitian, përmes donacioneve të kompanive të ndryshme dhe mbi të gjitha ato të njerëzve, që mund të blejnë për një dollar një lidhëse për flokët ku shkruhet “Stiller-strong”. Kjo fushatë është frymëzuar nga byzylyku i Lens Armstrong për të mbledhur fonde për kërkimet kundër kancerit. “Modeli im i biznesit është kopjimi i ideve të mira që kanë pasur të tjerët. Lance, është një njeri shumë i mirë tha se nuk ka ndërmend të ngrejë një padi për këtë, madje më përgëzoi”. Stiller ndodhet në Kanë për t’u shkëputur paksa nga puna e tij e ngarkuar si aktor, regjisor, producent dhe aktor në një film që sapo ka dalë në SHBA “Greenberg” dhe një tjetër ku është duke punuar shumë “Zoolander”. “Nuk arrij të qëndroj pa u aktivizuar për shumë kohë, ndaj mundohem gjithmonë të shpik aktivitete interesante dhe duke qenë se nuk më pëlqen të hap restorante, të prodhoj verë apo të realizoj linjën time të veshjeve mundohem të bëj gjëra të tjera që janë në përputhje me kohën. Më pëlqen se si interneti ndërvepron me kreativitetin dhe për këtë arsye kam hapur një divizion të shtëpisë sime të produksionit dhe për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë ide, por nuk kanë para t’i realizojnë”. Në të vërtetë, Stiller ka një “prezencë” online shumë të pasur, jo vetëm me faqen e internetit “stillerstrong”, por edhe me një faqe shumë aktive në “Facebook” apo dhe me adresën e tij në “Twitter”. “I njoh personalisht të gjithë miqtë dhe fansat që ndjekin atë çka unë bëj në “Twitter”, u dërgoj vazhdimisht dhurata të gjithëve, për të mbajtur të gjallë vëmendjen e fansave karshi meje”. Në moshën 44-vjeçare, Stiller është një nga aktorët më të dashur të Hollivudit, e duke qenë se është në një moshë ku mund të flitet për maturi, ka interpretuar një film ku roli i tij nuk është ekzaktësisht komik, një film nën titullin “Greenberg” që flet për brezin e tij. “Do të më pyesni nëse i dua 40-vjeçarët? Eh, nuk është e thjeshtë ta përgjithësosh. Nuk di të them nëse jemi një brez kompakt si “baby boomers” për shembull. Roger, personazhi i filmit, është një 40-vjeçar që humbet punën, ka një jetë jo të lehtë, por gjithsesi, përpiqet të bëjë më të mirën për veten dhe të tjerët. Mendoj se shumë mund të identifikohen me betejën e tij të përditshme, për të ardhur në fund të ditës me një ide jo të keqe për veten, pasi ka kaluar qindra gjëra që janë përpjekur të nxjerrin jashtë rrugës. Mendoj se nëse ka diçka fisnike në gjithë këtë, thjesht ajo qëndron te kuraja që duhet të kenë për të jetuar. Ka miliona njerëz në botë që nuk kanë fatin që kam pasur unë, suksesin material, apo shpërblimin për atë që bëjnë, por kanë talent, janë të zotët, kanë shumë për të dhënë dhe e jetojnë jetën e tyre pa sukses, por me shumë forcë dhe dinjitet”. Stiller e dashuron kinemanë pa kushte, është rritur në një familje aktorësh dhe gjithmonë ka menduar se fati i tij ka qenë i shënuar. Ben Stiller është rritur në një familje tipike hebreje, me tradita shumë të ngjashme me ato europiane. "Nënë, besim, ushqim dhe femra. Kam pasur fatin të martohem me gruan e ëndrrave të mia (aktorja Christine Taylor, prej të cilës ka dy fëmijë, Ella Olivia, 8 vjeçe dhe Quinlin Dempsey, 5 vjeç), femrën time ideale: bionde dhe pasionante, njësoj si ikona e Marylin për Howard Hawks, ose Tippi Hedren për Alfred Hitchcock. Biondet i kam fiksim, janë dhe do të mbeten protagonistet e filmave të mi. Marrëdhënia ime me bashkëshorten funksionon vetëm falë sensit të humorit. Për momentin nuk kemi ndërmend të përçahemi si familje. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm dhe tre qen që na mjaftojnë". Po me të vërtetë kishit menduar të bëheshit aktor komik? “Unë nuk mendoj se jam një aktor komik. Mundohem të bëj gjëra që më pëlqejnë dhe më argëtojnë. Pikërisht nëse i bëj njerëzit të qeshin dhe të ndihen mirë qoftë edhe për pak orë, atëherë mendoj se e kam bërë atë që di të bëj më mirë”. Me “Yahoo”-në, Stiller po prodhon edhe disa filma me metrazh të shkurtër që kanë si protagonistë prindërit e tij, Jerry Stiller dhe Anne Meara: “Prindërit e mi janë të dy nga 80 vjeç, por janë shumë aktivë dhe vitalë. Seritë që do të prodhojmë me “Yahoo”-në janë bazuar te lajmet që shohim çdo ditë. Ata i komentojnë, bisedojnë, e përziejnë jetën reale me komicitetin në një format që zgjat rreth 5 minuta. Ai dhe ajo janë një organizëm i vetëm, janë njerëz që flasin për gjithçka. Nga katastrofa që “British Petrolium” shkaktoi në gjirin e Meksikës te Botërori i Futbollit në Afrikë. Sigurisht që është shumë ndryshe nga të bërit film. Kur kërkon të tregosh histori nga fillimi në fund youtube nuk mjafton. Por rrugët që interneti po i hap botës së kinemasë janë të shumta dhe mund të jenë shumë befasuese. Sot të rinjtë rrinë vetëm në internet, shohin gjithçka, mund të kenë gjithçka. është një realitet me të cilin duhet të dish të hysh në marrëdhënie. Po 3D? “Nuk e di nëse bën për mua, nuk e di nëse do i bëja më shumë për të qeshur në 3D. Por deri kur kinemaja tredimensionale çon më shumë njerëz nëpër salla dhe i sjell shumë fitime industrisë, edhe për mua është shumë mirë”. Kur nuk është i angazhuar me punë, Ben e kalon pjesën më të madhe të kohës në ishullin Havai, aty ku ka edhe shtëpinë. "Ishujt Havai mbeten një vend i jashtëzakonshëm, vërtet magjik, i cili na lejon të qëndrojmë larg paparacëve dhe t‘i rrisim fëmijët tanë në mes të natyrës, por sidomos larg Hollivudit". Nëse do të mund t‘ia mbathte nga gjithçka dhe të gjithë, Ben do t‘i bashkohej "Frat Pack", grupit të miqve-aktorë karagjozë, pjesë e të cilit janë ai, Will Ferrell, Owen & Luke Wilson, Vince Vaughn dhe Jack Black.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›