Spitali kërkon 2 milionë euro për 13 stacione elektrike
Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, në bashkëpunim me kompaninë gjermane konsorciumi COWI-IPF, ka kryer dy studime lidhur me mjedisin e këtij spitali dhe me furnizimin me energji elektrike. Këto studime do të jenë në funksion të masterplanit për 10-vjeçarin e ardhshëm të këtij institucioni. Sipas drejtorit të përgjithshëm të QSUT-së, Ilir Dashi, planifikimi i menaxhimit dhe investimeve ambientale përmban jo vetëm metodologjinë për vlerësimin e kornizës ligjore dhe adaptimet e nevojshme drejt përputhshmërisë me Bashkimin Europian, por edhe një analizë komplete të kostove për të gjitha nevojat në këtë drejtim. Sipas masterplanit, parashikohet dyfishimi i furnizimit me energji elektrike të QSUT-së. Qendra më e madhe spitalore në vend ka nevojë për 6 mijë kilovat orë nga 3500 kilovat orë që merr sot. Sipas studimit të gjermanëve, kjo do të arrihet nëse zbatohet projekti dhjetëvjeçar, i cili do të rehabilitojë rrënjësisht infrastrukturën energjetike në QSUT. “Studimi parashikon zbatimin e projektit me vlerë 2 milionë euro, i cili do të konsistojë në ndërtimin e 13 nënstacioneve elektrike me linjë 20 kW nga 6 kW që është aktualisht. është menduar që pas dhjetë viteve të menaxhohet furnizimi me energji elektrike, duke siguruar për çdo spital një mbarëvajtje të shërbimit shëndetësor”, u shpreh eksperti për energjinë, Gjergj Simaku. Specialistët gjermanë rekomanduan që brenda dy vitesh edhe spitalet e vjetra në QSUT të kenë sistem qendror ngrohje e ftohje, njësoj si spitalet e reja që do të ndërtohen brenda territorit të QSUT-së. Studimi gjerman ka parashikuar plotësimin e nevojave me energji për qendrën spitalore “Nënë Tereza” përmes burimeve të tjera, siç është energjia diellore. Një tjetër pikë ku parashikohet të ndërhyhet është menaxhimi i trafikut në spital, krijimi i një korsie të veçantë për lëvizjen e autoambulancave të emergjencës. Për këtë të fundit, drejtoria e QSUT-së sapo ka përfunduar hartimin e planit rregullues, i cili pritet të nisë në muajin gusht.
#