Mezhgorani proteston, 200 nuk votojnë
Banorët e fshatit në rrethin e Tepelenës bojkot për shkak të rrugës së prishur. Në Kurvelesh goditet komisionieri i PS-së. Në Lazarat socialistët kërkojnë mbështetjen e vëzhguesve
TEPELENË - Ashtu sikurse edhe kishin paralajmëruar, banorët e fshatit Mezhgoran në rrethin e Tepelenës e kanë bojkotuar totalisht procesin zgjedhor. Asnjë prej materialeve zgjedhore nuk është tërhequr nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në rrethin e Tepelenës dhe kjo qendër votimi për 200 votues nuk është hapur mëngjesin e djeshëm.
Vendimi i banorëve është quajtur një protestë sociale për mosplotësimin e kërkesës për rikonstruksionin e aksit rrugor që lidh këtë fshat me rrugën nacionale.
Në njërën prej qendrave të votimit në fshatin më të madh të minoritetit grek, Derviçan, Gjirokastër, një banderolë elektorale që bënte thirrje për të votuar Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, është varur vetëm 5 metër larg qendrës së votimit. Kjo është cilësuar prej forcave të tjera politike "shkelje flagrante e ligjit".
Në 284 qendrat e tjera të votimit në qarkun e Gjirokastrës procesi i votimit ka vijuar normalisht. Të pranishëm kanë qenë vëzhgues të huaj të misionit ODIHR dhe organizatave të ndryshme. Në qarkun e Gjirokastrës janë 129. 600 shtetas të regjistruar në listat përfundimtare të zgjedhësve për të zgjedhur 5 përfaqësues të tyre për në Parlamentin Shqiptar.
Reagimet
Në komunën Petran të rrethit të Përmetit, banorë të zonës kanë denoncuar pranë shtabit elektoral të Partisë Socialiste, kryetarin e komunës se po përpiqet të shpërndajë të holla në këmbim të votës për PD, ndërsa në komunën Çarshovë, përfaqësues të PD-së bëjnë presion mbi banorët e zonës.
Ndërkaq, në fshatin Gllavë të rrethit Tepelenë qendra e votimit nga militantë të PD nuk u lejua të çelet në shkollën e fshatit, por në një shtëpi private.
Nga ana tjetër, kandidati për deputet i Partisë Socialiste Ethem Ruka deklaroi se ndaj një komisioneri të kësaj force politike është ushtruar dhunë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rexhin të komunës Kurvelesh në rrethin e Tepelenës.
Akuzohen edhe forcat e policisë së Tepelenës që sipas kandidatit socialist nuk kanë reaguar, megjithëse janë njoftuar për incidentin e ndodhur. "Komisioneri i PS Julian Balilaj është qëlluar nga shtetasi Jaho Xhebro, i cili sipas të dhënave të grumbulluara ka ushtruar dhunë në ambientet e brendshme të qendrës së votimit të këtij fshati në prani të anëtarëve të tjerë të komisionit.
Dhuna e ushtruar ndaj komisionerit socialist Julian Balilaj ka ardhur pasi ky i fundit nuk ka lejuar të votojë të atin e shtetasit Jaho Xhebro, i cili sipas komisionerit socialist, nuk kishte asnjë lloj mjeti identifikimi si letërnjoftim apo pasaportë. Për këtë veprim legjitim të komisionerit socialist, Jaho Xhebro ka shkuar në qendrën e votimit dhe ka dhunuar fizikisht komisionerin e PS.
Dhunuesi i komisionerit të PS është nipi i kryetarit të Komunës Kurvelesh dhe i kandidatit për deputet të PR në Qarkun e Gjirokastrës Ditar Hodaj. Është njoftuar Komisariati i Policisë së Tepelenës, por askush nga përfaqësuesit e Policisë nuk ka shkuar në vendngjarje", thuhej në këtë deklaratë për shtyp.
Në një tjetër reagim të socialistëve pretendohet për shkelje edhe në komunën Lazarat.
"Deputeti Vangjel Tavo gjatë vëzhgimit të qendrës së votimit në komunën Lazarat ka vërejtur se kryetari i komunës Dasho Aliko, pasi ka ushtruar gjatë gjithë kohës presion mbi votuesit, po përpiqet që të manipulojë rezultatet duke ushtruar presion mbi komisionerët socialistë.
Kandidati i PS për Qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo ka kërkuar përmes kësaj komunikate që misioni OSCE-ODHIR i instaluar në qarkun Gjirokastër të shkojë në vendngjarje dhe të japë të gjithë asistencën e duhur duke u njohur nga afër me situatën dhe të marrë në raportim të gjitha të dhënat."
Në deklaratë thuhet se kandidati për deputet dhe deputeti aktual i PS Vangjel Tavo ka shprehur shqetësimin e tij se duke u nisur nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, koha e përfundimit të votimeve është çasti i manipulimit të zgjedhjeve në këtë fshat. Me këtë rast Tavo dhe PS e Gjirokastrës ka kërkuar mbështetjen e vëzhguesve të huaj dhe vendas si dhe të misioneve ndërkombëtare të akredituar në vend, të vëzhgojnë nga afër procesin final të votimeve në Lazarat.