E Diel, 1 Nëntor 2026

Stina e ideve të reja për Kosovën

Nëse qeveria e Serbisë, e drejtuar prej Koshtunicës, do ta pranonte Kosovën si shtet sovran, kjo do të mund të shoqërohej me aranzhmane sipas të cilave Kosova do të shndërrohej në një shtet të demilitarizuar, neutral, pa prezencë të huaj ushtarake, dhe me një ushtri të veten të vogël, me përbërje shumetnike, e cila nuk do të paraqiste asnjë rrezik për fqinjët e saj.

Në kuadër të përpjekjeve për ta penguar me çdo kusht e me çdo çmim pavarësimin e Kosovës, kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica dhe dhe disa zyrtarë të qeverisë e të partisë së tij, javët e fundit kanë lancuar idenë sipas të cilës Kosova mund të shndërrohet në një “shtet të NATO-s”. Fatkeqësisht, zbulimi i tyre, sado që atyre mund t’u duket intelegjent dhe i bërë me kohë, në fakt është shumë i vonuar, sepse Kosova tash tetë vjet faktikisht është “shtet i NATO-s”. NATO- ja i involvua në Kosovë, për të parandaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që filluan ta kryenin ushtria dhe policia e Serbisë në vitet 1998-1999 mbi shqiptarët e Kosovës. NATO-ja është edhe më tutje në Kosovë, për shkak se kriza nuk është zgjidhur, ngase Serbia vazhdimisht e kërcënon Kosovën, (edhe me kërkesën e ditëve të fundit për kthimin e ushtrisë serbe ) me çka potencialisht e rrezikon edhe stabilitetin në rajon. Pra,
shkaktare e prezencës kaq masive të NATO-s në Kosovë, është vetë Serbia dhe qeveria e saj.

Për këto tetë vjet Koshtunica dhe qeveritarët e tjerë serbë nuk e kanë parë “shtetin e NATO-s” në “djepin e shtetit serb”, ndërsa tash, u ka shkrepur në mendje se ka rrezik nga shndërrimi i Kosovës në një “shtet të NATO-s”. Por, reagimi i tyre, si edhe shumë herë të tjera, është i gabuar dhe i vonuar. Kosova tash është në fazën kur po kërkon që me pavarësinë e saj të çmontohet “shteti i NATO-s”, në favor të paqes, të demilitarizimit të rajonit, të stabilitetit rajonal e të pajtimit shqiptaro-serb. Pikërisht tash edhe do të shihet fytyra e vërtetë e Koshtunicës dhe e qeverisë së drejtuar prej tij. Nëse qeveria e Koshtunicës do ta pranonte Kosovën si shtet sovran, kjo do të mund të shoqërohej me aranzhmane sipas të cilave Kosova do të shndërrohej në një shtet të demilitarizuar, neutral, pa prezencë të huaj ushtarake, dhe me një ushtri të veten të vogël, me përbërje shumetnike, dhe e cila nuk do të paraqiste asnjë rrezik për fqinjët e saj. Nëse qeveria e Serbisë do të lëvizte në atë drejtim, do të krijoheshin mundësi të nënshkrimit të një marrëveshjeje paqësore atafgjatë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që do të kishte ndikim shumë pozitiv edhe për pajtimin ndëretnik në Kosovë, pa të cilin zor se do të arrihet paqja në këto hapësira dhe zor se do të çmontohet “shteti në shtet” i NATO-s në këtë vend. Nëse nuk e bënë qeveria e Serbisë këtë veprim, veçse vazhdon të kërkojë me kokëfortësi “mbetjen e Kosovës në Serbi”, kjo do të thotë se kërkon vazhdimin e tensioneve dhe rrezikun e riciklimit të konflikteve të armatosura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në atë rast, “shteti i NATO-s” në Kosovë jo vetëm që nuk do të çmontohej, por do të forcohej e do të çimentohej për një kohë më të gjatë. Në këtë kontekst, besoj se Koshtunica dhe qeveria e tij duhet ta dinë se nëse Kosova pavarësohet në mënyrë të njëanshme, natyrisht edhe me miratimin e NATO-s, kjo gjë do të ketë efekte ngulfatëse edhe në tërë Serbinë për shumë vite. Në atë situatë askush nuk do ta ketë nevojën e integrimit të Serbisë në NATO, sepse NATO-ja do të jetë “e integruar” në Serbi, me anën e kontrollit të plotë mbi hapësirat e saj nga bazat në Kosovë.

Në variantin më fatlumë, Vojisllav Koshtunica dhe haverat e tij do të ikin nga detyra pas katër vjetësh dhe do të mund të vjelin frytet e ndonjë pensioni solid e ndoshta edhe të ndonë pleqërie të qetë. Por, gjeneratat e tëra të serbëve e të shqiptarëve, në Kosovë po edhe në Serbi, do të jetojnë me pasojat e kokëfortësisë së tyre, e cila do ta bëjë afatgjatë “shtetin e NATO-s” në një Kosovë të stërmilitarizuar, pa dëshirën e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›