E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mëshirë të fatit apo në mëshirë të Zotit?

Teksa “lundron” në forumet e gjithëllojshme të internetit, shikon se faqet shqiptare po i kushtojnë rëndësi serioze konsumimit të ushqimit në vendin tonë, që ç’është e vërteta dita-ditës po merr përmasa problematike. Një prej naviguesve në këto faqe shkruan se në etiketat e produkteve duhet shënuar: “Standarti ndërkombëtar HACCP” në mënyrë që ushqimet të jenë të sigurta. Nëse është fallsifikuar etiketa, ky është një problem tjetër, por mos harroni, duhet të shikoni në fillim datën e skadencës. Produktet ushqimore që po qarkullojnë në Shqipëri në tregjet, dyqanet apo markete në një përqindje të tyre janë të skaduara, ose drejt afatit të skadimit, duke u shpëtuar shpesh kontrolleve që ushtrohen.

Rasti i fundit i shënuar në Librazhd ku mbi 150 dasmorë ranë “pre” e helmimit nga torta është një model në miniaturë, ndërkohë që shifrat e papublikuara për ushqimet që hyjnë në kufi me rrezikshmëri serioze për jetën mund të jenë disafish më të larta. Inspektorati i Kontrollit të Ushqimit asgjesoi para disa kohësh rreth 25 kuintalë biskota, çokollata dhe pije të skaduara, nga të cilat 5 kuintalë u kapën gjatë shitjes në treg të lirë. Është e kuptueshme që me rritjen e temperaturave inspektorati u ka bërë thirrje konsumatorëve të jenë ata të parët të vëmendshëm për të verifikuar datat e skadencave.

Apologjia e këtij institucioni përmbushet nga numri i punonjësve. Vetëm 20 inspektorë nuk mund të kenë në kontroll të gjithë situatën. Nga ana tjetër, tregtarët përpiqen ta normalizojnë gjithçka, duke abuzuar me uljen e çmimit të produkteve që u ka skaduar afati i përdorimit, metodë joshëse që tërheq konsumatorin. Ndryshe nga tregu shqiptar, në tregjet evropiane në përputhje me ligjin e ushqimit, një pjesë e produkteve që arrijnë periudhën 6 muaj para skadencës shiten me gjysmën e çmimit. Ndërsa në vendin tonë, nuk është shqetësuese vetëm kapja e ushqimeve të skaduara por edhe mungesa e impianteve për djegien e tyre. Si rrjedhim Shqipëria po bëhet një hambar për produktet e skaduara të cilat të huajt në pamundësi për t’i tregtuar në vendin e tyre i zbarkojnë në Shqipëri.

Vetëm një sy i hollë dhe i ambjentuar mund të konstatojë se çfarë ka para syve, sepse shumica e shqiptarëve e marrin të mirëqënë ofertën e shitësit, duke pranuar të konsumojnë produkte më pak cilësore dhe me një kosto më të ulët. Nëse i referohemi ligjit për ushqimin, vërehet se Inspektoriati kryen kontrollet dhe konstaton mangësitë, madje është përgjegjës edhe për vënien e gjobave dhe ndëshkimin e subjekteve që operojnë në kundërshtim me procedurat zyrtare. Në praktikën europiane të kontrollit mbi ushqimin nuk rezulton të aplikohet një skemë e tillë. Një ndarje e tillë është bërë në vendet e BE-së për të deleguar përgjegjësitë e për të penguar që e gjithë procedura e tregut të përqendrohet në duart e një grupi inspektorësh apo të një drejtorie të vetme. Specialistë të fushës tregojnë se praktika e deritanishme dhe ajo që parashikon të aplikojë Ministria e Bujqësisë, me anë të ligjit të ri “Për Ushqimin”, lë shteg për abuzim. Nuk është e pazakontë që inspektorët shtetërorë mund t’i përdorin kompetencat e tyre të dyfishta për interesa personale. Një prej këtyre specialistëve shprehu në media shqetësimin e vet edhe për vetë faktin se firmat jo vetëm furnizohen në qendra të keqkontrolluara, por mbi to nuk ushtrohet një procedurë konstante apo kontroll laboratorik mbi përmbajtjen e produktit. Për të mos folur më tej për nivelin e lartë të informalitetit që shkakton kjo veprimtari, pasi po flasim për produkte që blihen jashtë vendit me një çmim shumë të lirë e që shiten shumë më shtrenjtë, që të sigurohen fitime të mëdha. Fitimet janë të atilla saqë nuk do të ishte çudi që të shpërblenin dhe “mungesën e vëmendjes” së instancave shtetërore. Standardet janë pikërisht parametrat themelorë që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së konsumatorëve. Por kur kanë kaluar kaq vjet demokraci, institucionet nuk kanë dalë efikase për të mbrojtur së paku minimumin e jetës së taksapaguesve shqiptarë. Prandaj, kuptohet lehtë se në një situatë të tillë është më mirë që të shpenzosh kohë të shikosh edhe etiketën ose tapën e shisheve dhe të mendohesh mirë kur e konsumon produktin, madje të bësh edhe kryqin para se ta futësh në stomak, sepse ushqimi në Shqipëri nuk është thjesht në “mëshirë të fatit”, por në mëshirë të Zotit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›