Stina e nxehtë rrit ankthin, numri i urgjencave shkon në 300 në një muaj

Sëmundjet që lidhen me shëndetin mendor vijojnë me trend rritës edhe këtë sezon. Duke iu referuar të dhënave të shprehura nga mjekja psikiatre në Poliklinikën Fier, Ina Prifti numri i urgjencave në një muaj është rritur nga 90 deri në 300 persona.
Mjekja është shprehur se këta persona përbëjnë problem jo vetëm për shoqërinë por edhe për vetë familjet e tyre.
“Gjatë kësaj periudhe të shfaqen probleme të tilla si rënie e përqendrimit, problemet e gjumit, pafuqi, dhe kanë tendencë të ulin dozat e medikamenteve apo dhe ti ndërpresin ato pa autorizimin e mjekut. Si rrjedhojë shfaqen probleme afektive apo psikotike”, tha mjekja ndërsa këshillon mosqëndrimin në pikun e vapës dhe hidratimin.
Mjekja ka pohuar se ka një shtim të rasteve tek adoleshentët. Periudha me temperatura të larta po ndikon negativisht tek moshat e ndryshme duke rritur ankthin.
Gazetare: Megi Mëhilli
/RTSH/