Qeveria përcakton rregullat e tregtimit të detergjenteve
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin “Për detergjentet”, i cili përcakton të gjitha rregullat që duhet të ndiqen nga prodhuesit apo importuesit për tregtimin e këtyre produkteve. Qëllimi i këtij projektligji është sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit publik e të mjedisit. Ky projekt synon gjithashtu kontrollin e lëndëve tensioaktive në detergjente si dhe kufizimin ose ndalimin e përdorimit të lëndëve tensioaktive, që përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Projekti i qeverisë gjithashtu vendos rregulla jo vetëm për përbërjen e detergjenteve, por edhe për mënyrën e etiketimit dhe tregtimit të tyre. Sipas projektit, në etiketën e detergjenteve duhet të jepet informacioni i duhur për konsumatorin. Ky projekt parashikon dhe masat administrative për prodhuesit apo importuesit e këtyre lëndëve në rast se shkelin dispozitat e këtij ligji. Sanksionet variojnë me gjoba që arrijnë shifrën e 2 000 000 lekëve.
Kushtet për tregtim
“Kur vendosen në treg, detergjentet dhe lëndët tensioaktive për detergjentet duhet të jenë në përputhje me këtë ligj e aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe me Ligjin Nr.9108, datë 17.7.2003, “Për substancat dhe preparatet kimike”, shkruhet në projektligjin e miratuar dje nga qeveria. Në bazë të këtij projekti, fabrikuesi, përfaqësuesi i tij i autorizuar ose importuesi i detergjenteve dhe i lëndëve tensioaktive për detergjentet regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Fabrikuesi, përfaqësuesi i tij, i autorizuar, ose importuesi janë përgjegjës për përputhshmërinë e detergjenteve dhe të lëndëve tensioaktive për detergjentet, me dispozitat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij. Në projekt parashikohet kufizimi i tregtimit të detergjenteve në rastet kur lëndët tensioaktive, të cilat, pas vlerësimit të rrezikut në shëndetin publik dhe në mjedis, nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të konsumatorëve. Kërkesa për përjashtimin bëhet nga fabrikuesi, ose importuesi, me anë të një aplikimi me shkrim, i cili dorëzohet në ministri, duke dhënë informacion për plotësimin e kritereve. Kërkesa për përjashtim trajtohet vetëm pas pagimit të tarifës, e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e tregtisë dhe të industrisë. Aplikimi përmban dosjen teknike, të pajisur me të gjithë informacionin dhe arsyetimin e nevojshëm, për vlerësimin e aspekteve të sigurisë. Në bazë të vlerësimit të kryer merret vendimi për dhënien ose jo të përjashtimit. Ministria publikon listën e lëndëve tensioaktive, për të cilat është dhënë përjashtimi, me kushtet përkatëse ose kufizimet e përdorimit. Ministria pranon testet e kryera vetëm në laboratorë të akredituar. Ministria, në bazë të këtij ligji, autorizon laboratorët, të cilët kryejnë testimet. Ministria publikon listën e laboratorëve të autorizuar, ku shënohen: emri i plotë i laboratorit, data e miratimit, adresa e laboratorit dhe testi/lista e testeve, për të cilat ky laborator është autorizuar. Kur ministria vërteton se një laborator i miratuar nuk plotëson kërkesat për autorizim, shfuqizon autorizimin.
Etiketimi
Në këtë projektligj parashikohet që “Detergjentet të klasifikohen, paketohen dhe etiketohen në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr.9108, datë 17.7. 2003, ‘Për substancat dhe preparatet kimike’, dhe me aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij”. Në paketimin e detergjenteve të vendosura në shitje për konsumatorin, jepet, në formë të dukshme, lehtësisht të lexueshme dhe të paheqshme, edhe informacioni i mëposhtëm, si emri i tregtarit të produktit; marka e tregtimit, adresa e plotë dhe numri i telefonit të personit përgjegjës për vendosjen e produktit në treg; adresa postare elektronike, kur është e mundur dhe numri i telefonit. I njëjti informacion jepet në të gjitha dokumentet shoqëruese të detergjenteve, të transportuara në sasi të mëdha. Në paketimin e detergjenteve jepet përmbajtja sipas kushteve specifike, të përcaktuara në rregullin teknik “Për etiketimin dhe të dhënat e përbërësve për detergjentet”, si dhe udhëzimet për përdorim dhe masat paraprake të veçanta që duhet të zbatohen.
BOX
Sanksionet:
Shkelja e pikës 1 të Nenit 3 që parashikon vendosjen në treg të detergjenteve në bazë të ligjit, dënohet me gjobë nga 200 000 lekë deri në 2 000 000 lekë.
Shkelja e përcaktuar në pikën 1, të Nenit 9 që parashikon dorëzimin e të gjithë informacionit që lidhet me përbërjen e detergjentin strukturave përkatëse shtetërore, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë.
Shkelja e përcaktuar në pikën 2, të Nenit 9 që parashikon se fabrikuesi ose importuesi është përgjegjës për kryerjen korrekte të testeve përkatëse, dënohet me gjobë 1 500 000 lekë.
Shkelja e përcaktuar në pikën 3, të Nenit 9 që parashikon se “me kërkesë të Inspektoratit Sanitar Shtetëror, fabrikuesi, përfaqësuesi i tij i autorizuar ose importuesi që vendos në treg detergjentet ose substancat tensioaktive në detergjente, vë në dispozicion të këtij inspektorati, pa vonesë e falas, të dhënat për përbërësit, të cilat ia dërgon brenda 14 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës”, dënohet me gjobë 800 000 lekë.
Shkelja e përcaktuar në Nenin 10 që parashikon të gjitha të dhënat që duhet të shënohen në etiketën e detergjentit me të cilat duhet të njihet konsumatori, dënohet me gjobë nga 400 000 lekë deri në 2 000 000 lekë.
Kur subjekti nuk ka pajisur, brenda afatit kohor të dhënë, strukturën përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut me dokumentacionin e kërkuar apo kur me veprimet ose mosveprimet e tij, e bën të pamundur apo e vështirëson verifikimin e dokumentacionit, dënohet me gjobë 100 000 deri në 300 000 lekë.
Gjoba vendoset brenda 2 muajve nga data kur është konstatuar shkelja.
Personi që ka kryer shkeljen duhet ta shlyejë gjobën brenda 10 ditëve nga data që ka marrë njoftim për vendosjen e saj.
Gjoba e vendosur në zbatim të këtij ligji përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyrat e Përmbarimit në rast se nuk shlyhet në kohë nga personi që ka vendosur produktin në treg.
27 Gusht 2009