Qeveria miraton “one-stop-shop” për licencat energjetike
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ngritjen e Qendrës Kombëtare për Aplikimet Energjetike. Ky institucion, bëri të ditur kreu i qeverisë, do të funksionojë si një qendër “one-stop-shop” për dhënien e lejeve dhe licencave në fushën e energjetikës. Në vendimin e qeverisë parashikohet që Qendra e Kombëtare për Aplikimet Energjetike do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të lehtësojë procesin e lëshimit të licencave, të lejeve, autorizimeve dhe akteve të tjera administrative, për ndjekjen e të gjitha llojeve të projekteve në fushën e energjisë elektrike, nga të gjitha burimet e mundshme, nëpërmjet bashkërendimit të procedurave për dhënien e licencave, të autorizimeve apo lejeve nga institucionet ose entet publike përkatëse. Kjo qendër do të mbështesë me analiza dhe sugjerime nismat e reja të reformës rregullatore, të cilat lidhen me funksionin parësor të kësaj qendre. QKAE jep mendime dhe bën oponencë për nisma, ligjore dhe nënligjore, për institucionet publike, që lidhen me funksionin parësor të kësaj qendre si dhe informon dhe këshillon subjektet private për kriteret dhe procedurat për licencimin, lejimin apo autorizimin e projekteve në fushën e energjisë elektrike.
Veprimtaria e QKAE-së drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili emërohet nga ministri. Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishëm këtë vendim në kushtet ku Shqipëria, sipas tij, do të kthehet në një superfuqi energjetike në rajonin e Ballkanit.
Berisha: “Qeveria do të shkurtojë shpenzimet për paga për pushtetin vendor”
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror, ka deklaruar dje se pushteti vendor ka tejfryrje të administratës. Berisha solli si shembull Bashkinë e Tiranës si të mbingarkuar me njerëz, ndërsa pohoi se vendimi i ri do të kushtëzojë bashkitë të përdorin për paga vetëm 20 për qind të fondit. “Ajo që është jashtëzakonisht e papranueshme është fakti se Bashkia e Tiranës ka të punësuar 14 herë më shumë se Bashkia e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka më shumë punonjës sesa kancelarja gjermane. Është abuzuar në mënyrën më të papranueshme me fondet e buxhetit të taksapaguesve shqiptarë. Për të mbyllur këtë kapitull do të krijohet fondi i zhvillimit të rajonit. Paratë e buxhetit do të jenë minimale për t’u përdorur për rroga”, - u shpreh Berisha. Kryeministri ka deklaruar se kabineti i tij do të rishqyrtojë buxhetin e këtij viti.
Në takimin e Komitetit Ndërministror Berisha ka theksuar se gjatë këtij viti të ardhurat u rritën ndjeshëm. Sipas Berishës, shifrat hedhin poshtë pretendimet e Partisë Socialiste se janë kryer për investime elektorale. Por, në të njëjtën kohë, kryeministri Berisha ka argumentuar rritjen e deficitit buxhetor me punën e dobët që kanë bërë, sipas tij, Tatimet e Doganat. “Ata që thonë se ky është një ligj elektoral mashtrojnë, sepse 2008-a nuk ka qenë një vit elektoral, ku është investuar 10 për qind e prodhimit të brendshëm. Ata që bërtitën se nuk po trupëzohen me buxhetin fondet e privatizimeve, u gabuan. Kjo qeveri nuk mund të shpenzojë kurrë jashtë ligjit të buxhetit. Të krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat në Shqipëri janë 7 për qind më të larta. Por, me planin, Doganat lënë një boshllëk prej 65 milionë dollarësh, ndërkohë Tatimet janë në realizim mbi 100 për qind”, - theksoi kryeministri Berisha.
27 Gusht 2009