Depresioni, vetëvaret 60-vjeçari
TEPELENE - Një 60-vjeçar nga fshati Qesarat në Tepelenë është gjetur i vetëvarur dje nga gruaja dhe dy fëmijët e tij. Sipas policisë, Ali Çela ishte vetëvarur në degën e bajames disa metra larg banesës. Ngjarja ka ndodhur pas darkës së shtruar nga gruaja e të ndjerit, e cila sipas policisë, është me aftësi të kufizuara. Pas konstatimit në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të Tepelenës. Sipas dëshmive të vetë familjarëve, Ali Çela pasi ka darkuar me fëmijët e tij dhe gruan, ka dalë jashtë banesës për t'u qetësuar, pasi shpeshherë ai kishte shfaqur shenja depresioni. Viktima pasi kishte dalë jashtë i ka hipur kalit të vet në bahçe të shtëpisë dhe më pas ka vënë lakun në fyt, duke mbetur i varur në degën e bajames. Familjarët e tij kanë deklaruar se ai kohët e fundit vuante nga depresioni. p.n