E Diel, 1 Nëntor 2026

Kajo: Naftëtari të nxjerrë mësime nga humbja me Olimpikun

Nga Arben Çepani

Kapiteni i kuçovarëve, Erion Kajo, pranon paraqitjen e dobët në miqësoren e fundit, por mendon se nuk duhet tragjedizuar situata

Pas ndeshjes me Olimpikun dhe kritikave të ashpra të stafit teknik për humbjen dhe paraqitjen e dobët, skuadra kuçovare i është rikthyer procesit stërvitor. Naftëtari ka bërë një paraqitje shumë të mirë gjatë ndeshjeve miqësore, por me këtë të fundit ka alarmuar stafin teknik. Sidoqoftë, është më mirë që kjo ndodhi në një test miqësor, që trajneri Fraholli të korrigjojë gabimet e të tijve.

Kapiteni i Naftëtarit, Erion Kajo, thekson se ekipi duhet të nxjerrë mësime nga humbja me Olimpikun për të mos gabuar edhe në kampionat.  Duhet ta pranojmë që në ndeshjen miqësore me Olimpikun ishim shumë dobët, ndryshe nga ndeshjet e mëparshme. Zhgënjyem në të gjitha drejtimet, sepse skuadra nuk funksioni. Repartet ishin të shkëputur nga njëri-tjetri.

Duhet të mësojmë nga kjo humbje, që besoj se do të jetë një episod i shkëputur, pasi gjatë kësaj peridhe skuadra është përgatitur me ritme të larta. E kemi vlerësuar fazën përgatitore të dimrit dhe synojmë një paraqitje dinjitoze gjatë fazës së dytë. Kuptohet që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum periudhën e mbetur deri në fillim të fazës së dytë.

Jemi të motivuar për ta përballuar me sukses gjysmën e dytë të kampionatit dhe do të përpiqemi me të gjitha forcat për ta ngjitur Naftëtarin në kategorinë e parë, një objektiv mëse i realizueshëm,- ka thënë Erion Kajo, kapiteni i Naftëtarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›