Helmohet uji i Ballshit, 200 në spital
Helmim masiv në Ballsh. Rreth 200 veta janë shtruar gjatë 48 orëve në spitalin e qytetit të Ballshit dhe në spitalin rajonal të Fierit me simptoma helmimi.
Komuniteti i qytetit të Ballshit dhe i disa fshatrave pranë është prekur nga një epidemi enigmatike, që nga autoritetet thuhet se është shkaktuar prej ujit të pijshëm. Sipas banorëve, uji që shkon në rubinetet e tyre është i ndotur prej së dielës. Ndërkohë, kryebashkiaku i Ballshit, Neim Begaj, duke këmbëngulur se klorinimi i ujit është bërë rregullisht hedh dyshimet për një ndërhyrje të qëllimshme në rrjetin e ujësjellësit apo në depon kryesore.
EpidemiaShenjat e para të një epidemie janë dhënë gjatë ditës së diel. Në spitalin e qytetit të Ballshit, përgjatë gjithë ditës së diel dhe paradites së të hënës janë paraqitur mbi 22 persona. Të gjithë mësohet se kanë pasur simptoma të njëjta: të vjella, dhembje barku dhe diarre, simptoma këto që sipas mjekëve kanë qenë të shkaktuara nga uji i ndotur. Po burimet zyrtare të spitalit të Ballshit tregojnë për gazetën “Shqip” se personat e parë që kanë dhënë alarmin për helmim nga uji kanë qenë banorë të lagjes periferike, “Bylis”. E ndërsa autoritetet spitalore kanë njoftuar Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Parësor për të bërë analizat e ujit, situata është rënduar dhe numri i të prekurve nga epidemia është shtuar rrufeshëm.
Deri në mbrëmjen e djeshme numri i të helmuarve ka shkuar në më shumë se 200, me një tendencë rritjeje gjatë orëve të natës. Në këto kushte, spitali i qytetit të vogël e ka pasur të pamundur përballimin e fluksit të të sëmurëve.
Kulmi i shtrimeve ka qenë pas orës 20:00, kur spitali i Ballshit nuk ka pasur më asnjë shtrat të lirën nga 70 të tillë dhe i ka drejtuar të sëmurët që shtoheshin për në Fier.
Fluksi në spitalin e Fierit ka qenë i menjëhershëm. në më pak se një orë, 40 banorë të Ballshit janë paraqitur në urgjencë, duke vënë në alarm bluzat e bardha. Deri në orën 22:15 të së hënës, numri i ballshiotëve të shtruar në spitalin e Fierit ka arritur në 130, duke e çuar kështu në 200 numrin e pacientëve në të dyja spitalet. Mjekët thanë se një pjesë e mirë e pacientëve janë larguar pas marrjes së ndihmës së parë, por shumë të tjerë kanë qenë në gjendje të rëndë dhe janë shtruar në repartin e sëmundjeve infektive.
Shëndeti i të helmuarveAutoritetet lokale në Ballsh thonë se ka familje ku janë helmuar të gjithë anëtarët. E tillë është familja Bajramaj që banon në lagjen “29 Nëntori” të Ballshit. Siç tregon gruaja e shtëpisë, i pari është sëmurur burri i saj, me diarre dhe të vjella. “Pas marrjes së ndihmës së parë erdhi në shtëpi, por sot unë dhe tre fëmijët mbetëm në vend, nga dhimbja e barkut dhe diarreja që nuk ndërpritej”, tregon për “Shqip” Kajaçe Barjamaj. Një banor tjetër i Ballshit, Teki Veliaj, nga shtrati i repartit të urgjencës thotë se: “Uji nuk ka munguar, por tri ditët e fundit ka ardhur me një aromë shumë të rëndë. Nuk durohej. As për të gatuar nuk e kam përdorur, por me sa duket helmimi ka qenë i fortë”.
Një banor tjetër i Ballshit, Festim Myrtaj, nuk ngurron të akuzojë autoritetet vendore dhe ato qendrore për papërgjegjshmëri në këtë situatë. Ai thotë se nuk u mor asnjë masë kur epidemia ishte në fillimet e saj, paraditen e së dielës.