Rëndohet gjendja e grevistëve, 20 përfundojnë në spital

Përshkrimi i mesazhit politik të grevës së urisë, të 200 qytetarëve dhe deputetëve të opozitës duket se gradualisht po i lë vendin kronikës së gjendjes shëndetësore. Që prej tri ditësh, çadra ku janë ngujuar protestuesit ka përcjellë për në spital 20 pjesëmarrës, të cilët sinjalizojnë kështu se përmasa e vërtetë njerëzore e këtij akti ekstrem po bëhet gjithnjë e më e pranishme. Saimir Gura nga Shkodra, Lekë Njeza, 25-vjeçari Bujar Neziri, deputeti Besnik Bare dhe 22-vjeçari nga Tirana Andi Hajdari janë të larguarit e ditës së djeshme, e cila në pikëpamje të situatës shëndetësore imiton ditët paraardhëse. Simbolikisht ajo po zhvendos veten drejt një faze që priret të vërë në lëvizje energjitë politike për shkak të ndjeshmërive të reja që priren të lindin tanimë në opinionin publik. Edhe pse deri më tani dialogu në distancë mes palëve po i përmbahet së njëjtës gjuhë të përdorur 9 muajt e fundit, është e pritshme që të shtruarit në spital të komprometojnë heshtjen dhe ftohtësinë e shumicës në pushtet. Jo vetëm pse ata rrisin faturën njerëzore të menaxhimit të krizës, por sepse gradualisht po zbulojnë raportin e pushtetit aktual me individin. Përtej politizimit dhe ritualit në komunikim do të mjaftonte vetëm bllokimi prej disa ditësh i bulevardit kryesor në Shqipëri, për të kërkuar një ndërhyrje të shtetit. Përballë këtij qëndrimi që arsyetohet tek interesat e pushtetit dhe vepron mbi efektin kohë në rënien e avantazhit të aksionit opozitar, drejtuesi kryesor i kësaj të fundit, Edi Rama, ka ofruar të vetmen gjë që duket se ka mbetur; këmbënguljen dhe vijimin e grevës së urisë. “Do rezistojmë për t’i dhënë Shqipërisë ato standarde që meriton. Për t’u çliruar nga ky makth, për t’i garantuar këtij vendi një Shqipëri të sigurt pa pasur frikë të thuash atë çfarë mendon. Vendi është në krizë, një krizë që thellohet çdo ditë që ka përgjegjës ata që janë në pushtet që duhet t’i japin llogari shqiptarëve për rrënimin e ekonomisë, varfërisë së tejskajshme, dështimet në qeverisjet e tyre të përsëritura”, deklaroi kreu i PS pas një vizite në QSUT pranë grevistëve të shtruar. I bindur sipas gjasave në objektivin dhe rrugën e vet, Rama po i përmbahet një qëndrimi të fortë edhe sa i përket dialogimit në distancë me Kryeministrin. Për këtë arsye, elementë të dialogut të vërtetë, apo të vullnetit real të opozitës mund të hetohen në prononcimet e drejtuesve të tjerë të saj, që së fundmi po apelojnë gjithnjë e më shumë për ndërhyrje të menjëhershme. Ndërkohë apeli i opozitës ka gjetur një mbështetje morale edhe nga eurodeputeti italian Marko Panela, i cili ka vizituar dje çadrën e grevës së urisë. Ai ka mbështetur protestën e opozitës shqiptare, duke u nisur edhe nga përvoja politike e tij që ka të regjistruar një sërë aktivitetesh të kësaj natyre.
#