E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stonestreet: Palët garanci, Reforma Zgjedhore do jetë gjithëpërfshirëse

TIRANE-“Palët më garantuan se do të nisin menjëherë nga puna për Reformën Zgjedhore, ne do të ofrojmë asistencën tonë, por është koha pa u ngutur, të nisim nga puna”, u shpreh sot për mediat Shefi i misionit të OSBE ODIHR, Jonahan Stonestreet pas përfundimit të vizitës në Tiranë.

Stonestreet deklaroi sot se raporti për zgjedhjet vendore duhet të shndërrohet një platformë pune për të vlerësuar zgjedhjet dhe për detyrat që duhet të bëhen në të ardhmen.
Ai theksoi se ndërkombëtarët punuan shumë që raporti për zgjedhjet lokale të ishte faktik dhe i besueshëm.
“Jam i gëzuar që të gjithë përfaqësuesit politik e kanë mirëpritur raportin dhe rekomandimet dhe janë dakort me të. Ne punuam shumë në mënyrë që të kishim një raport faktik dhe të besueshëm dhe me rekomandime që do të vlenin në të ardhmen” ka theksuar Stonestreet.
Sipas shefit të OSBE-ODIHR, të gjithë ndërkombëtarët janë të interesuar të bëjnë sa të munden që të rritin besimin e publikut në procesin e zgjedhjeve.

Më tej shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it ka përsëritur apelin për nisjen sa më shpejt të reformës zgjedhore në bazë të rekomandimeve të bëra në raportin për zgjedhjet e majit, duke këshilluar që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.

“Të gjitha palët janë të interesuara të fillojë reforma zgjedhore dhe kjo të bëhet pa u nxituar dhe të lihet kohë deri tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakort që reforma të jetë gjithëpërfshirëse ku të jenë të pranishme si partitë parlamentare ashtu edhe ato jashtë parlamentit, si dhe shoqëria civile. Ka ardhur koha për t`u ndërmarrë hapa konkrete. ODHIHR-i mbetet e gatshme që të japë asistencën për sa kohë që kjo kërkohet nga institucionet shqiptare” ka shtuar më tej Stonestreet.
Ai ndërsa ka shtuar se asistenca ka të bëjë me rishikim të draftit dhe ekspertizë në tryeza të ndryshme që mund të zhvillohen në Shqipëri.

I pyetur për numërimin e votave në Tiranë, Stonestreet ka theksuar se ky proces u zhvillua në një situatë të pazakontë dhe një klimë të tensionuar politike.
“Situata e numërimit ishte e pazakontë për shkak të rezultatit të ngushtë, dhe ndodhi në një moment të tensionuar politik. Prandaj theksoj se procesi i reformës zgjedhore është serioze dhe duhet të ndërmerren hapa të rëndësishme që të kthehet besimi tek zgjedhjet” ka theksuar Stonestreet.

Shefi i Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore Stonestreet zhvilloi dje takime me presidentin e vendit Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Qëllimi i vizitës së Stonestreet në Tiranë ishte raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit si dhe nisja e punës për zbatimin e rekomandimeve të këtij raporti.

Vizita e Stonestreet realizohet vetëm pasi katër javë më parë u publikua raporti përfundimtar i zgjedhjeve lokale. Në raportin e OSBE/ODIHR-it thuhej se ndonëse zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese ato ishin tepër të polarizuara, me mosbesim mes partive politike në pushtet dhe opozitës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›