E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi i portit të Vlorës, Olldashi i fsheh të dhënat kompanisë italiane

TIRANË- Ministria e Transporteve ka refuzuar të japë të dhëna konkrete për tenderin e modernizimit të Portit të Vlorës, kompanisë italiane Pietro Cidonio SPA, e cila ka marrë pjesë në procesin e tenderimit.

Gazeta Shqiptare zbulon se kjo kompani i ka kërkuar ministrisë së Transporteve të hidhej dritë mbi procesin e parakualifikimit, duke u vënë në dispozicion të dhëna lidhur me metodologjinë e ndjekur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për të skualifikuar kompani të njohura nga vendi fqinj, që në hapin e parë, atë të vlerësimit teknik të ofertave.

Po përgjigja zyrtare e ardhur nga ministria e Transporteve vetëm përgjigje nuk mund të quhet. Së pari, sipas ministrisë, në rast se kompanitë e tjera do të viheshin në dijeni të hollësive të ofertave të rivales fituese, kjo do të cenonte privatësinë e kësaj të fundit. Dhe, së dyti, publikimi i ofertave teknike do të përbënte edhe një nxjerrje të sekretit teknologjik të kompanisë fituese. Specialistët venë në dukje se ligji shqiptar i prokurimit publik është i errët në këtë pikë, ndërkohë që të huajt, duke përfshirë legjislacionin italian, sigurojnë një transparencë të plotë për të gjithë pjesëmarrësit lidhur me të gjitha hapat e hedhura gjatë vlerësimit të ofertave në një prokurim publik.

Por, duke qenë se fjala ishte për fonde që jepen nga Italia dhe se kompanitë janë të gjitha italiane, ambiguiteti ligjor mirë ishte të zgjidhej në drejtim të "hapjes së kartave" dhe jo në atë të fshehjes së tyre. Opsioni i zgjedhur nga dikasteri i Olldashit le të dyshosh për paracaktim të fituesit. Pak ditë më parë ambasadori italian ka kërkuar zyrtarisht nga Olldashi sqarime dhe informacione të mëtejshme, konkretisht, lidhur me vetëdeklarimet e një shoqërie pjesëmarrëse në tender, SI.GEN.CO, që ajo ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare, si dhe për kriteret e ndjekura nga Komisioni shqiptar i Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar të dhënat e paraqitura nga subjektet italiane, në se ato ishin apo jo në përputhje me normat e paracaktuara për tenderin.

Më tej, ambasadori kërkon të dijë, a është zhvilluar – para takimeve të rezervuara – ndonjë takim i hapur, në të cilin Komisioni t’u shpjegonte konkurrentëve kriteret që do të zbatonte për caktimin e pikëve. 10 muaj nga data e paraqitjes së ofertave në tenderin për projektin madhor të infrastrukturës, që ka të bëjë me Portin e Vlorës, procesi mbetet i bllokuar si pasojë e dyshimeve të forta nga investitorët italiane se gjithçka është zhytur në pellgun e korrupsionit dhe metodat e punës ndjekur nga pala shqiptare në vlerësimin e ofertave.
(GSH/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›