Stop, përdorimit të miliona euro fonde publike për të prodhuar spote!
Pas spotit të turpshëm të Kryeministrit, qytetaret shqiptarë këto ditë po ndoten nga një spot tjetër i Ministrisë së Kulturës, ku i thuren lavde punës rutine të Ministrisë. Trumbetimi i sfilitur i disa të ashtuquajturave arritje po shpërndahet nga selia e Kryeministrit drejt ministrive mediokër, të cilat atë që se arrijnë dot me punë, duan ta shesin me spote.
Prodhimi dhe transmetimi i këtyre spoteve është jo vetëm bezdisës por është korruptiv, përbën një cenim të së drejtës për t’u shprehur, si dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë.
Prokurimi i spotit nga ana e Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë së Kulturës është një shpenzim korruptiv i fondeve publike, për qëllime politike, dhe nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve. Këto fonde publike janë prokuruar në mungesë të plotë transparence dhe janë treguesi kryesor i diskretitimit të kauzës së duarve të pastra.
Kjo qeveri duhet të ndalojë së harxhuari miliona euro fonde publike për të prodhuar spote me qëllim kamuflimin e dështimeve të njëpasnjëshme dhe paaftësisë së tejskajshme që e ka mbërthyer.
Këto fonde duhet të përdoren në mënyrë më eficente për të adresuar problemet madhore që na rëndojnë sot të gjithëve. Në vend të na shesë broçkulla për arritje fiktive, kjo qeveri duhet të investojë në Shëndetësi, ku kushtet e mjerueshme nuk lejojnë pacientët të marrin as shërbimin minimal; të investojë në arsim ku shkollat vuajnë akoma në vitin 2008 mungesën e kushteve sanitare; të investojë tek pensionistët, të cilët dhimbshëm numërojnë qindarkat dhe nuk arrijnë dot të plotësojnë as minimumin e nevojshëm të një jetese dinjitoze.