E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop reklamave bajate

Në sytë e KFOR-it, shqiptarët shëtisin rrugëve me kuaj. Në qoftë se rastisin rrugës në ndonjë fqinj të tyrin serb, atëherë, edhe për të do të bëhet një vend. Kështu ata mund ta kenë më ngrohtë edhe në temperaturat minimale të dimrit.

Kështu duket reklama televizive që transmetohet nëpër televizionet kosovare. Edhe nëse ideatorët e kësaj reklame kanë dashur të tregojnë paqen që mbizotëron në Kosovë, si duket ata nuk kanë qëlluar në shënjestër. Vullneti i tyre i mirë, i shfaqur me anë të këtyre reklamave, ka ngjallur reagime te kosovarët.

‘Qesharake’, ‘ofenduese’ dhe ‘idioteske’. Këto janë komentet më të shpeshta që bëjnë ata sa herë që rastisin në ndonjë këso lloj reklame.

Nuk janë vetëm disa grupe të formuara në rrjetin shoqëror në internet, Facebook, që kanë reaguar ndaj këtyre reklamave. Tashmë kundër tyre janë ngritur edhe 88 OJQ të grave të Kosovës dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Disa nga qytetarët thonë se kjo nuk përkon aspak me realitetin kosovar. Ata mendojnë se qerrja me kalë i përkasin së kaluarës së largët dhe paraqesin primitivizëm.

“Derisa rrugët janë të stërmbushura me vetura të markave më të fundit botërore, KFOR-i na paraqet ne sikur të jetonim në kohën e stërgjysheve tanë. Me këto reklama nuk pasqyrohet realiteti kosovar. Janë shumë ofenduese për ne”, thotë studenti Valon Riza.

Me një letër drejtuar gjeneralit të KFOR-it në Kosovë, Markus Bentler, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës i kanë kërkuar atij të intervenojë në ndalimin dhe ndryshimin këtyre spoteve televizive dhe shfaqjen e bilbordeve.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, mendon se me anë të këtyre reklamave KFOR-i nuk tregon realitetin e vërtetë, pasi që, sipas saj, kjo është politikë ndërkombëtare me anë të së cilës KFOR-i mundohet të zgjasë misionin e tij në vend.

“Ata mundohen që të na kujtojnë tërë kohën se me serbët jemi armiq. Ata nuk tregojnë se në fakt nuk i kemi ato probleme dhe se proceset po ecin përpara. Po, ne si komb. Për cilën dhunë po flasin ata, kush po bën dhunë në Kosovë? Me këtë që po bëjnë është një politikë ndërkombëtare që dëshirojnë që sa më shumë të zgjasin misionin e KFOR-it.”, thotë Rogova.

Përpos ofendimit që RrGGK-ja beson që u bëhet tërë etniteteve të Kosovës, ato kanë pohuar se me këto reklama i bëhet ofendim edhe gjinisë femërore.

“Spoti i fundit, me një peshëngritës muskuloz, u bë pikë qendrore diskutimi në takimin e anëtareve të RrGGK-së. Anëtaret u ndjenë të fyera nga kjo reklamë ngase për gratë dhe vajzat muskujt nuk paraqesin siguri”, thuhet në letrën drejtuar KFOR-it, e nënshkruar nga kryetarja e këtij rrjeti, Igballe Rogova.

Ajo tregon se letra publike drejtuar mediave dhe KFOR-it, po ashtu u është dorëzuar organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe organizatave për të drejtat e grave në të gjithë botën.

“Duhet ta dijë e gjithë bota se po na paraqesin me një imazh negativ që në fakt nuk është i vërtetë”, shton ajo.

Ndërsa drejtuesi i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se lidhur me këto reklama ka reaguar kohë më parë, por që, sipas tij, ato kanë hasur në veshë të shurdhër.

“Kam biseduar me disa zyrtarë të KFOR-it që të largohen këto reklama idioteske që e pasqyrojnë një realitet i cili nuk është në Kosovë. Mirëpo, ankesa ka hasur në veshë të shurdhër. Kjo do të thotë se KFOR-i nuk funksionin si një entitet kompakt”, thotë Shala.

Ai thotë se më anë të këtyre reklamave fyhen shqiptarët dhe se, sipas tij, nuk janë inkurajuese as për pakicat.

“Në kohën kur e tërë bota po sensibilizohet për ne, ata e çojnë atë mesazh që në Kosovë ende udhëtohet me qerre me kuaj. Nga këto reklama do të turpëroheshin edhe regjimet totalitare. As në ish-Jugosllavi nuk i kemi pasur këso reklama fyese, diskriminuese e përqeshëse ashtu siç ka bërë KFOR-i”, shton Shala.

Tani mbetet të pritet nëse reagimet e qytetarëve do të bëjnë që në reklamat e KFOR-it, Kosova të duket më ndryshe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›