E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitiv, por jo transparent

Mosdhënia e detajeve pas nënshkrimit të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, lë një rrezik për ngritjen e kostos dhe për gjëra të tjera të panjohura gjatë realizmit të këtij projekti. Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Mustafa, thotë se ky projekt kërkon një përgjegjësi të madhe që të menaxhohet në mënyrë efektive.

“Në këtë drejtim duhet të shihet që kontraktimet të jenë precize në atë pjesë të projektit, ku të gjitha gjërat janë të ditura. Kurse, pjesët e tjera do të duhej të kontraktoheshin pasi të dihen vëllimet e punës. Kështu, mbesin shumë gjëra të panjohura. Shpresoj që këto gjëra të zgjidhen mirë, edhe pse një rrezik i tejkalimit të vlerave dhe i një kostoje më të lartë sesa që është e arsyeshme, ekziston”, thotë Mustafa. Ngritja e vlerës së autostradës Vërmicë - Merdar, sipas tij, do të krijojë probleme për buxhetin e Kosovës. Ndërkaq, sa i përket mënyrës së financimit të këtij projekti, Mustafa thotë se edhe nëse financohet me para të buxhetit, edhe me kredi, prapë buxheti do t’i kthejë ato mjete. E kjo, sipas tij, do të thotë që do të ketë më pak para për qëllime të tjera të zhvillimit ekonomik.

“Mënyra më e mirë e financimit do të ishte me koncesion - me Bechtel & Enkën të hyhet në negociata që të arrihet marrëveshja, që kjo kompani disa pjesë të kësaj rruge t’i financojë me koncesion”.

Qeveria e Kosovës tanimë ka bërë të ditur se vlera për kilometër e autostradës do të jetë prej 7.5 deri në 8 milionë euro, e që gjithsej do të kapë shumën prej 700 milionë eurosh. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, nga donatorët dhe nga marrja e kredive.
Në anën tjetër, ekspertët e ndërtimtarisë vlerësojnë se vlera prej 7.5 - 8 milionë eurosh për kilometër, mund të jetë e arsyeshme, nëse në të është përfshirë edhe ndërtimi i të gjitha objekteve përcjellëse. Megjithatë, disa prej tyre kanë dilema për procesin dhe janë skeptikë në lidhje me skemën financiare për ndërtimin e kësaj autostrade.

Eksperti i ndërtimtarisë, Selman Buçolli, tha se sa u përket çmimeve të rrugëve, relativisht në formë të përgjithshme, pa hyrë në detaje, terren më të përshtatshëm për ndërtimin e autostradës sesa në Kosovë, nuk ka. “Vlerësimi për këtë rrugë nuk ka koment që është i leverdishëm, jo vetëm për kosovarët, por edhe për tërë rajonin - ndoshta mund ta quajmë rrugë historike”, thotë Buçolli. Qeveria e Kosovës tanimë ka deklaruar se autostrada Vërmicë - Merdar do të realizohet brenda 36 muajsh, nga dita kur fillojnë punimet. Por, ende nuk dihet saktë data e fillimit të këtij projekti.

Nis brenda dy javësh
Brenda dy javësh do të fillojnë punimet në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar. Kështu deklaroi pronari i kompanisë Enka, Sinan Tara. Sipas tij, më mirë është të ndërtohet rruga pa tunele, pasi ato sjellin rrezikun e ngritjes së kostos, që është parashikuar të jetë 700 milionë euro. “Brenda dy jave do të mbahet ceremonia e vënies së gurthemelit. Dhe, menjëherë duhet të fillojmë në mënyrë që edhe t’i shfrytëzojmë këto ditë të bukura pranverore”, thotë Tara. Miliarderi i njohur edhe nga revista prestigjioze Forbes, Sinan Tara, është i njohur me diskutimet që po bëhen në Kosovë në lidhje me trasenë e autostradës. Ai shprehet se më mirë është që autostrada të ndërtohet pa tunele.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›