E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet afërsisht 1 kg kokainë, 3 në pranga

OPERACIONI Policia e kryeqytetit shoqëroi rreth 15 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë linjë trafiku


TIRANE- Operacion antidrogë në kryeqytet, bllokohet afërsisht një kilogram kokainë ndërsa arrestohen tre persona, të dyshuar si posedues dhe shitës të lëndës narkotike. Operacioni u krye mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00, në kryeqytet në një bllok lokalesh në rrugën e Elbasanit, ku policia ndërhyri për të goditur një rrjet të përfshirë në shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike në kryeqytet, por edhe më tepër.


Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thanë dje se operacioni është realizuar nga njësia e Antidrogës së Policisë së Tiranës, ndërsa është ndjekur koordinuar dhe drejtuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit.


Të njëjtat burime thanë se goditja u krye në një lokal që dyshohet se mund të ishte baza e grupit ku edhe mund të bëhej ndarja e sasisë së lëndës narkotike në drejtim të shpërndarësve të vegjël, që e shisnin më pas mallin sipas porosisë. Grupi i goditur dje pasdite nga policia e kryeqytetit, kishte më tepër se tre muaj që po hetohej nga specialistët e antidrogës, me dyshimin si të përfshirë në shitjen dhe tregtimin e lëndës narkotike në kryeqytet.


Operacioni nisi në rrugën e Elbasanit, rreth orës 17:00, kur njësitë e ndërhyrjes së policisë, bllokuan lokalin dhe më pas ndaluan tre persona të dyshuar. Veç tre personave, policia ndaloi edhe disa të tjerë që ndodheshin në lokal, të dyshuar si miq të personave të ndaluar.


Në përfundim të ndërhyrjes së saj, policia shoqëroi në ambientet e saj së paku 14 persona të dyshuar si të përfshirë në shitjen e kokainës. Po kështu policia sekuestroi një sasi kokaine në një automjet, ndërsa u bllokuan pej saj së paku dy autovetura të llojeve të ndryshme.


Në fund, pas përfundimit të kontrolleve të saj policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej afërsisht një kilogramë kokainë e pastër. Po kështu nga 14 persona të shoqëruar prej saj deri në mbrëmje vonë, tre persona kishin përfunduar në izolim të cilëve iu ishte komunikuar arrestimi në flagrancë me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim.


Drejtues të Operacionit, pohuan se deri në orët e para të mëngjesit duke u gdhirë dita e sotme kanë vijuar kontrollet e banesave të të dyshuarve për të gjetur prova dhe fakte që zbardhnin përfshirjen e tyre në shitjen apo posedimin e kokainës. Ndërkaq pritet që sot policia të dalë me një konferencë shtypi në lidhje me këtë operacion.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›