E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Komiteti i Shpëtimit drejtonte bandën"

CËRRIK
Ish-shoferi i një blindi, i plagosur gjatë masakrës së '97, rrëfeu dje episodin e tij në Gjykatën e e Krimeve të Rënda


TIRANË- Sokol Kuça, me detyrë ish- drejtues i një prej mjeteve të blinduara që mëngjesin e 23 majit 1997 hynë në qytetin e Cërrikut me qëllimin për të vënë qetësi, rrëfeu në procesin gjyqësor ndaj 9 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës të "Masakres së Cërrikut", pritën që banorët e kësaj zone i kishin bërë Gardës së Republikës, duke i vrarë 6 prej tyre dhe 16 të tjerë që i lanë të plagosur.


Mes të plagosurve, sipas prokurorisë, ishte edhe dëshmitari Kuça që i tregoi togave të zeza se ditën e 23 majit 1997 me urdhër të zv\Ministrit të Brendshëm dhe Komandantit të Gardës së Republikës ishin nisur për në qytezën e Cërrikut pasi një natë më parë ishte djegur posta e policisë. Sipas tij, aty kishin rënë në pritë dhe ishin sulmuar nga të katër anët, duke marrë edhe ai vetë një plagë në bark nga ciflat e granatave të dorës.


"Sapo kemi hyrë në qytezë, jemi përballur me breshëri automatiku dhe granata e anti-tank ku unë mbeta i plagosur. Më pas më kanë larguar që nga ngjarja dhe më kanë nisur për në Spitalin e Elbasanit ku rrugës shef i krimeve të asaj kohe, që emrin nuk e mbaj mend, më ka thënë se jeni sulmuar nga krerët e Komitetit të Shpëtimit të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi.


Më pas, më ka treguar edhe gardisti i marrë peng që tashmë nuk ndodhet në Shqipëri, se e kanë rrahur keqas duke e detyruar të deklarojë gjëra të ndryshme dhe e kanë filmuar",-tha dëshmitari Kuça.


Pas deklarimeve të tij, togat e zeza ndërprenë seancën gjyqësore për mos paraqitjen e dëshmitarëve të tjerë, duke shtyrë seancën për javën që vjen, konkretisht të martën në ora 9:00 e mëngjesit. Sipas prokurorisë, 9 të pandehurit: Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi në bashkëpunim me persona të tjerë kanë qëlluar mbi autokolonën e Gardës së Republikës ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 6 gardistë dhe 16 të tjerë janë plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›