Kurti: Politikanët tanë janë politikanë gjatë ditës dhe biznesmenë gjatë natës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shprehet se reputacioni ndërkombëtar i Kosovës po dëmtohet nga politikanët, të cilët siç thotë ai ditën janë politikanë dhe natën biznesmenë. Duke folur për situatën në Kosovë, Kurti tha se problemi kryesore është krijimi i një sistemi që edhe engjëjt i kthen në djaj.
“Në këtë sistem, edhe nëse do të fusje engjëj, do nxirrje djaj. S’mendoj se këta njerëz janë imoralë apo të këqij në vetvete. Ata nuk janë të këqij në vetvete. Janë njerëz që janë futur në këto procese dhe tani janë bërë shumë të pasur, por vendi ynë po bëhet gjithnjë e më i varfër. Territori ynë po dëmtohet, buxheti po dëmtohet sikurse dhe reputacioni ynë ndërkombëtar. Mendoj se politikanët tanë janë… siç themi ne, politikanë gjatë ditës dhe biznesmenë gjatë natës. Ata janë pasuruar shumë shpejt, përmes mënyrash të jashtëligjshme e janë bërë pjesë e problemit”, deklaroi Kurti gjatë intervistës me Janusz Bugajskin.
Shqetësimi më i madh i “Vetëvendosjes”, siç shprehet kreu i saj, është marrëdhënia me Serbinë. ”Mendoj se Serbia do ta njohë Kosovën një ditë, por jo me kushtin që ne të jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë sa herë që do ajo. Varësia e Serbisë nga Kosova është një situatë unike. Pra, mendoj se sjellja e mirë ndaj Serbisë po e bën atë edhe më të keqe. Me siguri, tani BE-ja e ka kuptuar këtë me zgjedhjen e Nikoliçit”, tha Kurti. /F.S/