E Diel, 1 Nëntor 2026

Stounstrit-Topit: Të respektohet ligji, palët të tregojnë maturi

Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit ka deklaruar se shprehja e maturisë, e ruajtjes së qetësisë dhe zbatimit me rigorozitet i ligjeve në fuqi e Kodit Zgjedhor në veçanti, mbetet me rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë ndërsa ka shtuar se institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të ketë në themel të punës së tij vetëm respektimin e ligjit.
Në një takim me presidentin Bamir Topi, Stounstrit ka shprehur gjtihashtu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm në funksion të arritjes së standardeve demokratike perëndimore nga ana e Shqipërisë përsa u përket zgjedhjeve të lira, të drejta e të ndershme.
Nga ana e tij presidenti Topi theksoi se “partitë politike duhet të respektojnë institucionet e pavarura, pasi shteti i së drejtës, shteti demokratik forcohet nëpërmjet konsolidimit të institucioneve të pavarura, të cilat zbatojnë në çdo hap vetëm ligjin dhe Kushtetutën”.
Gjithashtu Presidenti Topi vuri në dukje se edhe OSBE/ODHIR-i, në prag të nxjerrjes së raportit të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 8 majit, duhet të vazhdojë të japë kontributin dhe ndihmesën e saj të vyer në zgjidhjen ligjore e institucionale të situatës si dhe në përmirësimin e Kodit Zgjedhor aktual.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›